“Kam me ta vra familjen”, publikohet dosja e të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë

I dyshuari, Astrit Isufi, për vrasjen e dyfishtë në Gollubovc të Malishevës, del të jetë i dënuar për dhunë në familje dhe kanosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, më 16 prill 2025 me 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë, ndërkaq Gjykata e Apelit më 26 qershor 2025 kishte ndryshuar këtë vendim, duke dënuar Isufin me 3 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Isufit për veprën penale dhunë në familje dhe kanosje, transmeton Klankosova.tv.

Sipas aktakuzës së cituar në vendimin e gjykatës, thuhet se Isufi më 30 mars 2025, me dashje dhe qëllim të cenimit të dinjitetit, kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike.

Të dëmtuarën, gruan e tij, e kishte goditur me peshqir, duke e sulmuar me shuplaka disa herë, duke i gjuajtur pjatën e ushqimit, e duke e ngritur zvarrë të dëmtuarën dhe duke e futur në dhomë me kabëll rryme derisa i ishte dukur mjaftueshëm, dhe më pas duke e larguar nga shtëpia.

Në pikën tjetër të akuzës thuhet se Isufi i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës, gruas së tij, me fjalët: “Ti nuk guxon me u nda prej meje, se kam me ta vra familjen, kam me t’i faruar krejt”, e që me këto veprime ngarkohet edhe me veprën penale të kanosjes.

Në seancën fillestare, Isufi ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje, me të cilin deklarim është pajtuar mbrojtësi i Isufit, Prokuroria e Shtetit dhe vetë përfaqësuesja e palës së dëmtuar.

Më tutje, gjykata ka gjetur se pranimi i fajësisë është në harmoni me dispozitat ligjore, duke shtuar se dënimi me burgim prej 154 ditësh dhe 800 euro gjobë është i mjaftueshëm dhe se arrihet qëllimi i dënimit, duke u arritur rehabilitimi në rastin konkret.

Ndërkaq, lidhur me propozimin për masë të paraburgimit, gjykata del të ketë caktuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës, përmes të cilit i kishte shqiptuar dënim prej 154 ditësh burgim dhe 800 euro gjobë.