Ismet Guri, i cili është gjykuar bashkë me Ejup Alimin, për rastin “Titanik 3” vazhdon të jetë i lirë. Duke pasur parasysh se aktgjykimi ka marrë formë finale më datë 03.11.2025, nga Gjykata Themelore Penale njoftojnë se lënda është dorëzuar te Gjykatësi për Ekzekutimin e Sanksioneve, por nuk precizojnë saktë se kur do të fillojë ekzekutimi i dënimit, shkruan Portalb.mk.
Alimi dhe Guri për “Titanik 3” janë akuzuar në qershor të vitit 2017 për shkatërrimin e materialit zgjedhor. Më 14 korrik të vitit të 2023, nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit në gjykimin e përsëritur të rastit “Titanik 3” për shkatërrimin e materialit zgjedhor kanë marrë dënime me burgim prej tre vjet e gjashtë muaj.
Dy javë më parë, vendimi i gjykatës u bë i plotfuqishëm dhe siç njoftojnë nga Gjykata Penale, Gjykatësi për Ekzekutimin e Sanksioneve e ka lëshuar akt–thirrjen që i dënuari të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg “në datë të caktuar”, duke mos precizuar saktë këtë datë edhe pas insistimit të redaksisë sonë.
Nga aty na siguruan se do të njoftohemi me kohë.
“Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup, KP 294/23, aktgjykimi i shkallës së parë është konfirmuar, por janë bërë ndryshime në dënimet, respektivisht I.G. dënohet me 3 vite burg, ndërsa ndaj E.A. shqiptohet masë alternative, dënim me kusht prej 2 vjetësh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 5 viteve të ardhshme nuk kryen vepër të re penale. I njëjti aktgjykim më pas është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh se aktgjykimi ka marrë formë të prerë më datë 03.11.2025, lënda është dorëzuar te Gjykatësi për Ekzekutimin e Sanksioneve, i cili ka lëshuar akt–thirrjen që i dënuari I.G. të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg në datën e caktuar. Meqenëse ndërkohë po rrjedhin afatet e parashikuara me ligj për plotësimin e kushteve për fillimin e ekzekutimit të dënimit, ju do të njoftoheni shtesë kur ekzekutimi i dënimit të realizohet” thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Portalb.mk.
Kujtojmë se, Guri dhe Alimi u akuzuan se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë ndryshuar një pjesë të regjistrave të votimit në Çair.