Imazhet satelitore tregojnë mbi 1.500 ndërtesa të shkatërruara nga Izraeli në Gaza që nga armëpushimi
Më shumë se 1.500 ndërtesa janë shkatërruar nga ushtria izraelite në Gaza që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit muajin e kaluar, treguan imazhet satelitore të publikuara sot, transmeton Anadolu.
Imazhet e shqyrtuara nga “BBC Verify” zbuluan se lagje të tëra në zonat e kontrolluara nga Izraeli, përtej të ashtuquajturës “Vija e verdhë” në Gaza, janë shkatërruar plotësisht që nga 10 tetori. Fotografitë e siguruara para marrëveshjes së armëpushimit në zonën Abasan Al-Kabira të Khan Younisit në jug të Gazës tregonin se shumë ndërtesa ishin të padëmtuara dhe disa prej tyre kishin kopshte, pemë dhe pemëtore.
Imazhet satelitore të marra nga Rafah, Jabalia dhe në qytetin e Gazës, para dhe pas marrëveshjes së armëpushimit, zbuluan rritje të dukshme të rrënojave dhe ndërtesave të rrafshuara në këto zona. “Numri real i ndërtesave të shkatërruara mund të jetë ndjeshëm më i lartë, pasi imazhet satelitore për disa zona nuk ishin të disponueshme për vlerësimin e ‘BBC Verify’”, tha kanali.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite pretendon se shkatërrimet ishin përgjigje ndaj “kërcënimeve” dhe kishin për qëllim çmontimin e infrastrukturës së Hamasit.
Sipas Zyrës së medias të qeverisë së Gazës, Izraeli ka kryer 282 shkelje të armëpushimit, përfshirë 12 inkursione në lagje banimi, 124 sulme dhe 52 operacione bombardimi që synuan ndërtesa civile, duke shkaktuar vdekjen e 242 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 620 të tjerëve.
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor, bazuar në një plan me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump. Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e mekanizmit të ri qeverisës pa Hamasin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 69 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023, duke e lënë Rripin e Gazës të pabanueshëm.