I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve të gruas ishte dënuar në prill të këtij viti me 5 muaj burg për dhunë në familje e kanosje

Astrit Isufi është i dyshuari kryesor për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në një fshat të Malishevës. Siç është raportuar në media, Iusfi në vazhdimësi kishte pasur probleme me gruan e tij, ndaj së cilës kishte ushtruar edhe dhunë.

Për këtë gjë, ndaj Isufit ishte ngritur aktakuzë më 7 prill 2025 dhe Gjykata Themelore e Prishtinës- Divizioni për Çështje Penale – Dega në Gllogoc në afat rekord e kishte shpallur aktgjykimin dënues ndaj tij më 16 prill 2025, për veprat penale Dhunë në Familje dhe për Kanosje.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas ngritjes së Aktakuzës të datës 07.04.2025, Gjykata Themelore në Prishtinë – Divizioni për Çështje Penale – Dega në Gllogoc, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, më datë 16.04.2025, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit A.I., duke e shpallur fajtor për veprat penale Dhunë në familje dhe Kanosje”, ka thënë Mirlinda Gashi.

Ajo ka treguar se të njëjtit i ishte shqiptuar dënimi me burg prej 154 ditësh dhe 800 euro gjobë.

“Të akuzuarit A.I. gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim prej 154 (njëqind e pesëdhjetë e katër) ditësh dhe dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro, i cili dënim duhet të paguhet brenda 90 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Në rast se i akuzuari nuk e paguan gjobën në afatin e caktuar, ajo zëvendësohet me burgim, duke llogaritur 20 euro për një ditë burgimi, koha e kaluar në paraburgim (nga 06.04.2025) i llogaritet në dënimin e shqiptuar”, ka shtuar tutje zëdhënësja e Gjykatës.

Gashi ka treguar se ndaj këtij vendimi, avokati i Astrit Isufit kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Të akuzuarit A.I. me Aktvendim të veçantë i është caktuar masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmëri të këtij Aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Kundër këtij aktgjykimi, mbrojtësi i të akuzuarit ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka përfunduar ajo.