Hill tregon për arsyet përse vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit

Christopher Hill, përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, ka folur lidhur me arsyet se pse vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, ambasadori Hill tha se nuk ka asnjë arsye të besojë që Thaçi ka marrë pjesë në krime lufte apo i ka urdhëruar ato.

“Tani, koha nuk i shëron të gjitha plagët siç thuhet, por mendoj se pas 25 vjetësh është kohë e gjatë që të mendohen gjërat dhe pikë së pari nuk kam arsye të besoj se z. Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprime të tilla të paligjshme dhe siç e kuptoj unë ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje, pra e ndjeva që kur m’u kërkua kjo gjë – nuk kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe u ndjeva që duhet ta thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha Hill.

Krahas të qenit i dërguar i posaçëm për Kosovë në kohën e luftës, ai mbajti edhe postin e ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni. Hill ka shërbyer edhe si ambasador në Serbi nga viti 2022 deri në fillim të 2025-ës.

Hilli, në ditën e parë të dëshmisë së tij tha se Xhavit Haliti ishte i pari përfaqësues i UÇK-së që e takoi. Megjithatë, si për Halitin, ashtu edhe për Thaçin, ai tha se nuk e kishte përshtypjen që e kishin kontrollin mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë rast gjyqësor Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Dëshmitari Christopher Hill ka mohuar t’i ketë thënë mbrojtjes së Hashim Thaçit se refuzon që të jap dëshmi për Prokurorinë.

Fillimisht, prokurori James Pace, tha se më 13 tetor 2025, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar Prokurorinë që Hill nuk donte të jepte intervistë për ZPS-në.

Prokurori tha se një mesazh përmes postës elektronike i është dërguar mbrojtjes nga Prokuroria për ta pyetur dëshmitarin nëse ishte i gatshëm që t’iu jepte atyre intervistë.

Pace kërkoi një përgjigje se pse ishte ky pozicion i dëshmitarit. Por, dëshmitari mohoi se është pyetur nga mbrojtja për një gjë të tillë.

“Nuk më kujtohet, nuk e di. Nuk mendoj kështu. Mua më ka kërkuar mbrojtja e Thaçit dhe më ka pyetur se në qoftë se do të jap dëshmi dhe për të diskutuar në qoftë se do isha i gatshëm për të dhënë informacionin që dija për këtë gjyq”, tha Hill.

Dëshmitari u pyet për atë se si siç po kuptohet mbrojtja nuk iu ka thënë asgjë që Prokuroria ishte e interesuar që të merrnin Hill në intervistë.

“Nuk më kujtohet të më jetë bërë një pyetje e tillë sepse sigurisht që do isha i përgatitur që t’ju jepja përgjigje ose intervistës me pyetje që mund të kishte”, tha Hill.

Përveç kësaj, ai tha se nuk i kujtohet që Ibrahim Rugova t’i ketë folur lidhur me kërcënime, sulme e rrëmbime që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së. Por, ai tha se i kujtohen persona të tjerë që kanë shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e Rugovës.

Në anën tjetër, dëshmitari tha se nuk i kujtohet emri i Cen Deskut dhe as ai i Jakup Kastratit./Betimi për Drejtësi

Hill: S’kam informacion për raportimin e brendshëm të UÇK-së ose për shërbime të intelegjence

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të martën, dëshmitari Christopher Hill tregoi se nuk ka informacione për raportimin e brendshëm të UÇK-së.

“Jo, nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që SHBA-të kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”, tha Hill,

Ndërkaq, kur u pyet për Kadri Veselin, tha se “Nuk e di në qoftë se këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”.

Ai gjithashtu tha se nuk ka njohuri për sistemin e raportimit brenda UÇK-së.

Dëshmitari Hill u pyet edhe në rast se kishte ndonjë informacion për struktura të intelegjencës ose të shërbimit të Zbulim-Kundërzbulimit.

“Mendoj që duhet të ketë pasur një sistem të tillë por nuk kam ide, nuk kam këtë informacion”, tha dëshmitari.

Hill gjithashtu tha se takimi i parë në mes tij dhe Rexhep Selimit kishte ndodhur me 1998-ën në Likoc, takim për të cilin dëshmoi në këtë seancë./Betimi për Drejtësi

Hill për James Rubin: Ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill u pyet në Hagë lidhur me një deklaratë për James Rubinin dhe qasjen që ky i fundit kishte ndaj Hashim Thaçit gjatë kohës së Marrëveshjes së Rambujesë.

Dëshmitari kishte thënë për James Rubinin se kaq larg shkoi në diskutimet e veta sa rekomandoi edhe kostumin edhe kravatën që duhej të mbante Thaçi.

“Kjo është në përputhje me mendimin tim që ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës”, tha Hill.

Në anën tjetër, dëshmitari tha se Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje dhe dëshironin që njëri prej tyre të nënshkruante Marrëveshjen.

“Thaçi dhe Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje, prandaj ka qenë e rëndësishme për ne, që të nënshkruhej prej tyre”, tha Hill ndër tjerash.

Dëshmitari foli edhe për një takim në mars të 1999-ës. Ai pohoi se në këtë takim ishte Sokol Bashota, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja ku është diskutuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë.

Avokati Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin njoftoi se për momentin mendojnë se nuk do të kenë pyetje plotësuese për këtë dëshmitar.

Ndryshe, në fillim sesioni i pasdites u zhvillua në sesion privat. Kurse, kur u hap seanca, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të merret vendim nesër për ato çka u diskutuan në seancë private./Betimi për Drejtësi

Hill: Nuk e di nëse Thaçi ishte bashkëthemelues i UÇK-së

Chrisopher Hill tha në Hagë se nuk e di nëse Hashim Thaçi ishte një prej personave që e themeloi UÇK-në.

“Nuk e di nëse ai ka qenë një prej personave themelues të UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit më sugjeron se ai nuk ka qenë. Megjithatë, nuk jam në pozitë për ta konfirmuar ose jo një gjë të tillë”, tha ai.

Veç kësaj, dëshmitari tha se kishte dëgjuar që Thaçi ishte pjesë e Drejtorisë Politike të UÇK-së./Betimi për Drejtësi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati amerikan, Christopher Hill tha se në takimin me Hashim Thaçin nuk e ka ndjerë veten se ishte në praninë e një vrasësi.

Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte thënë për mbrojtjen se në takim ishte një person që kishte reputacion, që ishte i përfshirë në të shtëna me armë, raportoi “Betimi për Drejtësi“.

Por, për personin që kishte deklaruar më herët se donte të hynte në takim me armë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka thënë që ai njihej si “një person që shtinte me armë”.

“Personi që donte të hynte në takim së bashku me armën, nuk dukej si një person i nivelit të lartë në hierarki. Por, mund të shihej se ai nuk ishte thjesht një trupojë-një roje, por nuk kishte askush tjetër armë brenda shtëpisë. Nuk më kujtohet ta kem thënë se ky person njihej për gjeste të tilla. Nuk jam shumë i qartë me këtë citim”, tha Hill.

Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin më pas se a qëndron ajo që ka thënë se kur ishte takuar me Thaçin nuk ishte ndjerë sikur ishte në praninë e një vrasësi. Ndërsa, nga një gabim në transkriptim, thuhej se dëshmitari ka thënë të kundërtën e që u kërkua sqarim nga ana e tij.

“Kam thënë që nuk isha, përgjigje negative”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se në takim kanë qenë një person, Jakup Krasniqi dhe Thaçi përveç ndërkombëtarëve.

Pas kësaj, Hilli tha se Jakup Krasniqi njihej si zëdhënësi i UÇK-së.

Christohper Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se kishte opinione të vlefshme për pozitën e Rexhep Selimit në UÇK.

Ndërsa, duke folur për takimin në Likoc që kishte ndodhur më 29 korrik 1998, Hill tha se menduan që Selimi do kishte pozicionin që të jepte përgjigje për propozimin e tyre për një grup negociator me Serbinë. Hill tha se kur nuk morën përgjigje nga Selimi, kuptuan që përfaqësonte opinione të “Grupit të Drenicës”, të cilit edhe i takonte.

“Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozicion që të na jepte përgjigje. Por, në fakt ishte nga ‘Grupi i Drenicës’. Në situatën kur nuk morëm përgjigje, atëherë ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të ‘Grupit të Drenicës’”, tha Hill.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi dhe Sami Lushtaku ishin në këtë takim në Likoc. Madje, për Zyrapin tha se nuk i kujtohet si emër se kush ishte.

Në takimin në Likoc, dëshmitari tha se ka pasur edhe persona të tjerë por që nuk i kujtohet të ketë folur me ata përveç se me Rexhep Selimin.

Dëshmitari tha se me Thaçin nuk është takuar më përpara takimit në Dragobil. Por, ai shtoi se emri i tij përmendej si dikush me të cilin ai duhej të takohej./Betimi për Drejtësi.

Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se nuk ka dëshmuar asnjëherë në ndonjë tribunal për krime lufte, ndërsa në këtë rast e ka ndjerë të nevojshme të dëshmojë ato që i di. Ai ka theksuar se ka ardhur të dëshmojë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka bërë krime për të cilat është mbajtur edhe i paraburgosur.

“Koha i shëron të gjitha plagët dhe kur e mendoj pas 25 vjetësh është kohë e madhe që të mendohen gjërat dhe nuk kam arsye që të besoj që zoti Thaçi ishte përfshirë në aktivitetet të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla të paligjshme. Dhe, siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i paraburgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra, u ndjeva sikur m’u kërkua kjo gjë. Nuk kontaktova njerëz, njerëz më kontaktuan mua dhe ndjeva që duhej të thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha ai.

Fillimisht, dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq se a ka dëshmuar në ndonjërin prej tribunaleve ndërkombëtare në rastet për krime lufte.

Hill tha se kur ishte ambasador në Varshavë gjatë periudhës 2002-2003 i është kërkuar që të dëshmojë në Tribunalin për Krime lufte.

Ai tha se nuk e kishte refuzuar këtë gjë por kishte biseduar me persona në Departamentin e Shtetit e që iu kishte thënë se “preferoj të vazhdoj me funksionet e mia aktuale të cilat i kisha”.

Hill deklaroi së një prokuror e kishte takuar në Varshavë në zyrën e tij dhe pas kësaj kishte shkuar në Uashington për konsultime për çështje në lidhje me Poloninë. Në këtë vizitë, Hill tha se ishte takuar edhe me përfaqësuesin ligjor të DASH-it dhe zëvendëssekretarin e Shtetit.

Ai tha se i njoftoi përfaqësuesit amerikanë se nuk donte të përfshihej në këto gjëra.

“Lidhur me preferencën time që unë nuk doja të përfshihesha në këto gjëra”, tha Hill.

Mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kishin pyetje për dëshmitarin.

Hill gjatë dëshmisë ka thënë se përshtypja e tij ishte që ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi s’ishte i rëndësishëm në UÇK.

Ai ka folur dhe për qëndrimet e Adem Demaçit, duke thënë se ishte kundër çdo marrëveshjeje që nuk e përmbante pavarësinë e Kosovës.

Hill tha se kur ekzistonin problematika serioze gjatë diskutimeve për marrëveshjen e Rambujesë, supozonin se pas tyre ishte Demaçi.

“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.

Hill: Rugova ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd, me Thaçin s’kam kontaktuar gjatë bombardimeve
7 o. më parë / 11 nën 2025 11:40

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.

Ndërkaq mohoi të ketë pasur kontakt me Thaçin ose Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s.

“Rugova i cili ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd shkoi në Vatikan. Ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan pas ftesës se një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme të Vatikanit. Drejt përfundimit të fushatës ajrore të bombardimeve, m’u kërkua që ta takoj atë dhe që të kuptoj se cilat ishin synimet e tij dhe nëse po planifikonte që të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, ai nuk e kishte planifikuar që të jepte deklarata publike dhe u ktheva në Shkup”, tha Hill.

Veç kësaj, dëshmitari Hill tha se kur filluan bombardimet e NATO-s kryesisht është marrë me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup./Betimi për Drejtësi