Heshtje zgjedhore sot në Shqipëri, nesër votohet në 5 bashki të vendit

Nesër, 334,539 qytetarë në pesë bashki të Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Për garantimin e mbarëvajtjes së procesit, Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash. Në këto pesë bashki, janë marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku ndodhen komisionet e KZAZ-ve, si dhe 473 qendra votimi.

Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen për mbrojtjen e objekteve dhe transportin e materialeve zgjedhore. Policia u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast që synon të ndikojë apo manipulojë votën e tyre.

Numri i votuesve me të drejtë vote është rreth 172 mijë në Vlorë, mbi 82 mijë në Berat, rreth 39 mijë në Cërrik, 29 mijë në Mat dhe 12,600 në Tepelenë.

Partia Demokratike dhe opozita nuk kanë paraqitur kandidatë nën siglën e tyre, por kanë shpallur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur që do të përballen me kandidatët socialistë dhe disa emra të tjerë.

Në Vlorë, kandidatja e PS-së, Brunilda Mersini — e cila hoqi dorë nga mandati i deputetes për të garuar për kryebashkiake — do të përballet me Dionis Sotën, i mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak nën siglën e Partisë Demokratike.