Haqim Ramadani: Mërgimtarët janë gjaku që e mban gjallë komunën e Bërvenicës, këtë fitore ua dedikoj juve (VIDEO)
Në tubimin madhështor të mbajtur sonte në Çellopek, kandidati i VLEN-it për komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj mërgimtarëve dhe banorëve të komunës, duke e quajtur mbrëmjen “natë të bashkimit, besimit dhe krenarisë”.
“Kjo është nata juaj, nata e njerëzve që nuk janë dorëzuar kurrë. Pa ju, as nuk mbahet, as nuk fitohet komuna,” tha Ramadani, duke u drejtuar mërgimtarëve që kishin ardhur nga shumë shtete evropiane.
Ai theksoi se uniteti i shqiptarëve të Bërvenicës është arma më e fortë për fitore dhe paralajmëroi një fushatë të qetë dhe dinjitoze, si shembull i qytetarisë evropiane.
“Të dielën do ta vulosim fitoren e sigurt. Dhe natën e festës, të tregojmë se jemi popull evropian, pa krisma, pa zhurmë, por me kulturë dhe dinjitet. Ne do të festojmë si njerëz të mençur, të ndershëm e krenarë,” u shpreh Ramadani.
Në fund, ai tha se fitorja e Bërvenicës do të jetë fitorja e çdo shqiptari që beson në punë, drejtësi dhe bashkim./TS