Gruaja e raportoi të zhdukur dy ditë më parë, gjendet i vdekur në Serbi shtetasi i Kosovës





Shtetasi i Kosovës, Selim Voca, që ishte raportuar i zhdukur, ka vdekur në një aksident me tren në qytet Aleksinac të Serbisë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të premten.

Sipas njoftimit, viktima ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja dy ditë më parë në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Aktualisht, trupi i tij është në Spitalin e Nishit.

“MPJD bën të ditur se, në koordinim me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, është angazhuar për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit të të ndjerit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, siç thotë njoftimi, është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e viktimës dhe me autoritetet përkatëse, me qëllim të ofrimit të asistencës së nevojshme në kuadër të kompetencave të saja dhe të lehtësimit të të gjitha procedurave të kërkuara.