Gjykata i jep të drejtë Trumpit: Pasaporta amerikane do të njoh vetëm dy gjini – mashkull dhe femër

Gjykata Supreme i ka lejuar administratës Trump të zbatojë një politikë që synon kufizimin e të drejtave transgjinore, e cila do të kufizonte përcaktimet e seksit në pasaporta në “mashkull” dhe “femër” bazuar në seksin e caktuar në lindje.

Gjyqtarët miratuan një kërkesë emergjente të paraqitur nga administrata, e cila kërkon të përmbysë një politikë të futur gjatë administratës Biden që u lejonte njerëzve të vendosnin “X” si shënues gjinor ose të vetëzgjidhnin mashkull ose femër.

“Shfaqja e seksit të mbajtësve të pasaportave nuk shkel më shumë parimet e mbrojtjes së barabartë sesa shfaqja e vendit të tyre të lindjes – në të dyja rastet, Qeveria thjesht po dëshmon një fakt”, tha gjykata.

Bëhet e ditur se që nga viti 1992, Departamenti i Shtetit, në rrethana të caktuara, u ka lejuar njerëzve të zgjedhin një shenjë mashkullore ose femërore që nuk korrespondon me gjininë e tyre në lindje.

Administrata Biden prezantoi opsionin “X” në vitin 2021 dhe e bëri më të lehtë për aplikantët transgjinorë duke hequr nevojën për provë mjekësore të tranzicionit të gjinisë.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se vendimi pasqyron pikëpamjen e administratës se “ekzistojnë dy gjini dhe avokatët do të vazhdojnë të luftojnë për këtë të vërtetë të thjeshtë”.

Politika e Trumpit në fakt do të thotë që personat transgjinorë, madje edhe ata që kanë kaluar plotësisht tranzicionin dhe kanë të dhëna mjekësore për ta vërtetuar këtë, nuk do të jenë në gjendje të kenë shënjues gjinorë që korrespondojnë me identitetin e tyre.

Presidenti Donald Trump njoftoi në ditën e tij të parë në detyrë, më 20 janar, një heqje të rregullit të Bidenit dhe gjithashtu tha se njerëzit duhet të kenë pasaporta që pasqyrojnë gjininë e tyre në lindje.

Politika e Trumpit u kundërshtua nga disa persona transgjinorë, të cilët pretenduan se ajo shkelte të drejtën e tyre për mbrojtje të barabartë sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës, si dhe një ligji federal të quajtur Akti i Procedurës Administrative.

Ashton Orr, një burrë transgjinor nga Virxhinia Perëndimore, është paditësi i emëruar në këtë çështje.

Ai aplikoi për një pasaportë me një shënues seksi mashkullor në janar dhe, në shkurt, Departamenti i Shtetit iu tha se mund të shkruhej vetëm seksi i tij në lindje, femër.

Një gjyqtar federal në Massachusetts vendosi kundër administratës, duke thënë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin shënuesit e tyre ose “X” si alternativë.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë të SHBA-së me seli në Boston refuzoi ta pezullonte vendimin ndërsa vazhdonte procesi gjyqësor.

“Politika e re e Trumpit është krejtësisht e ligjshme”, tha Prokurori i Përgjithshëm D. John Sauer në dokumentet e gjykatës.

“Kushtetuta nuk e ndalon qeverinë të përcaktojë seksin në terma të klasifikimit biologjik të një individi”, argumentoi ai.

Ndryshe, administrata Trump këtë vit është nxituar rregullisht në Gjykatën Supreme kur politikat e saj bllokohen nga gjykatat e shkallës së parë.

Çështja e pasaportës shënon herën e 22-të që gjykata ka miratuar një kërkesë emergjente të paraqitur nga administrata nëpërmjet asaj që është quajtur “regjistri i çështjeve në hije”.

Administrata, deri më tani, ka humbur vetëm dy nga këto çështje.

Nuk është një vendim përfundimtar dhe procesi gjyqësor do të vazhdojë, por sinjalizon se si do të vendoset përfundimisht çështja.