Qyteti i Shkupit ka hapur para dhjetë ditësh një thirrje publike për kompani të interesuara që të realizojnë dekorimet e fundvitit në kryeqytet. Sipas dokumenteve të publikuara në Byro për Prokurime Publike, oferta mund të dorëzohen deri më 4 dhjetor, pas së cilës do të zgjidhet kompania fituese. Fillimi i dekorimeve do të varet nga mbyllja e procedurës së tenderit, ndërsa në rast të ankesave, punimet mund të shtyhen edhe disa ditë.
Sipas specifikimeve të tenderit, në Sheshin e Shkupit duhet të vendoset një pemë e Vitit të Ri me lartësi minimale 13 metra, si edhe dekorime të tjera të shesheve dhe rrugëve kryesore.
Dekorimet festive do të vendosen në Sheshin Qendror, si dhe përgjatë rrugëve Dame Gruev, Dimitrija Çupovski, 11 Tetori, Filipi i Dytë, në bulevardet VMRO, Goce Dellçev, Partizanski Odredi, si dhe para ndërtesës së Qeverisë.
Për të qenë e kualifikuar, kompania duhet të dëshmojë të paktën tre kontrata të realizuara të ngjashme gjatë tre viteve të fundit, me vlerë mbi 10 milionë denarë.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka premtuar se kryeqyteti do të shkëlqejë në atmosferë festash. Këshilli i Qytetit ka miratuar një buxhet prej 70 mijë eurosh, që do të përdoret si për zbukurimet, ashtu edhe për organizimet festive të natës së ndërrimit të viteve.