Gjendet i vdekur në një burg në Turqi “bossi” i kriptovalutave që u arrestua në Shqipëri

32-vjeçari Faruk Fatih Özer, ish-drejtor ekzekutiv i bursës së falimentuar të kriptomonedhave Thodex, dje u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në qytetin perëndimor turk Tekirdag, raportoi shërbimi shtetëror i radiodifuzionit TRT.

Hetimi po vijon, ndërsa autoritetet zyrtare dyshojnë se Özer ka kryer vetëvrasje. Sipas mediave turke, trupi i tij u gjet nga rojet e burgut gjatë kontrollit të mëngjesit, përcjell TV21. Prokurorët turq kanë urdhëruar një hetim të plotë, duke përfshirë intervistimin e personelit të burgut dhe analizën e kamerave të sigurisë. Trupi i Özer u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll për autopsi, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.

Një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Turqisë

Özer u arrestua në Shqipëri më 30 gusht 2022, pas arratisjes sensacionale që tronditi Turqinë. Kundër tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për mashtrim të qindra mijëra investitorëve përmes platformës Thodex.

Ai kishte kaluar ilegalisht kufirin dhe kishte jetuar disa muaj në Elbasan, duke u përpjekur të fshihej me një identitet të rremë. Arrestimi i tij ndodhi në një nga plazhet e jugut të vendit, pas një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe autoriteteve turke, raporton Anadolu.

Në aktakuzë thuhet se Özer ka mashtruar rreth 400 persona, duke keqpërdorur më shumë se 2 miliardë dollarë fonde. Rasti i tij u bë një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Turqisë, duke tronditur tregun e kriptomonedhave dhe duke nxitur autoritetet turke të ashpërsojnë rregulloret për tregtinë digjitale.

Thirrje për një hetim të pavarur

Pas ekstradimit në Turqi, Özer u dënua me 11,196 vite burg për mashtrim të organizuar, pastrim parash dhe drejtim të një organizate kriminale. Megjithëse ai mohoi akuzat, duke pretenduar se rënia e bursës së kriptomonedhave ishte rezultat i sulmeve kibernetike dhe jo mashtrimi, gjykata e shpalli fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës.

Vdekja e tij ka ngritur shumë pyetje në publikun turk, dhe disa kërkojnë një hetim të pavarur për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo një eleminim të qëllimshëm të Özer, për shkak të informacionit që mund të kishte mbi rrjetin financiar të Thodex.