Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke e cilësuar fitoren e kandidatëve të koalicionit VLEN si një “fitore plebishitare” dhe një konfirmim të qartë të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim.
Në një postim në Facebook, Fetai ka theksuar se qytetarët kanë ditur të dallojnë “rrenën nga e vërteta dhe propagandën nga veprat”, duke shpërblyer, siç tha ai, “punën pa zhurmë që sjell ndryshim të vërtetë”.
“Kërkuan referendum, referendum morën. Urime për fitoren plebishitare të gjithë kandidatëve tanë! Shqiptarët e kurorëzuan ndryshimin që nisëm bashkë. Ata dinë saktësisht të dallojnë rrenën nga e vërteta, propagandën nga veprat, por edhe të shpërblejnë punën pa zhurmë, punën që sjell ndryshim të vërtetë”, ka shkruar Fetai.
Ai shtoi se VLEN nuk është thjesht një koalicion politik, por “një frymë e pathyeshme që nuk ndalet dhe nuk mund të ndalet”.
Në fund të reagimit të tij, Fetai u ndal edhe te kundërshtarët politikë, duke thënë:
“Ata që u bashkuan me Aliun, menduan se do t’i bënin puç VLEN-it, por në fakt u shuan bashkë me të, sepse kufomat politike nuk ringjallen kurrë. U barazuan me zero. U bënë hiç.”
Ky reagim i zëvendëskryeministrit Fetai vjen pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale, ku koalicioni VLEN ka arritur fitore të theksuara në shumicën e komunave me shumicë shqiptare.