Emrat e rinj në Qeveri, Mucunski: Bisedojmë, cilësinë e kemi më prioritet se sasinë

Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, nuk jep informata të sakta se kur do të ndodhë takimi brenda koalicionit qeveritar lidhur me emrat e rinj në disa poste ekzekutive. Ai thotë se komunikimi vazhdon, por nuk ka se çfarë të shpalosë para mediave para se të mbarojë marrëveshja mes partnerëve qeverisës.

“Mendoj se këto janë çështje të cilat së pari duhet t’i dakordojmë mes veti dhe më pas t’i publikojmë. Kështu ndërtohet besimi, kur funksionon si një ekip, si një njësi kolektive që punon të arrijë sukses.”, – deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Duke folur për ndarjen e hises në pushtet ekzekutiv, Mucunski tha se prioritet duhet të jetë cilësia e atij që dëshiron të udhëheqë me resorin.

“Jam i sigurt se ditëve në vijim do të ketë marrëveshje, e cila do të drejtohet para së gjithash në rritjen e efikasitetit të Qeverisë. Një gjë që e ka thënë edhe kryeministri, më lejoni ta përsëris edhe unë se nuk bëhet fjalë për numrin e vendeve të partnerit koalicionar, por për çështjen e kapacitet të individëve, dijen e tyre, përvojën dhe si ata do të kontribuojnë në institucionet që duan t’i udhëheqin. Më pak të fokusohemi në sasi, më shumë fokus në cilësi dhe ky duhet të jetë prioritet në të gjitha partnerët e koalicioneve në Qeveri.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, tha se janë dakorduar që në kuadër të koalicionit VLEN, pas largimit të Izet Mexhitit, i cili tashmë është kryetar i Çairit, të vijë zëvendësuesi i tij dhe se VLEN-i ka propozuar për të dytin e Qeverisë, Bekim Sali. Po ashtu Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor t’i takojë kuadrit të LD-së, me të cilin ka udhëhequr, Mexhiti. Ndryshe, sipas Mucunskit, nëse merret parasysh funksionimi i koalicionit për periudhën 1 vit e gjysmë, ka kënaqësi me të arriturat dhe nuk ka munguar kapaciteti i përbashkët për t’i kaluar sfidat./RTM2/