Dy përfaqësues lokalë të BDI-së i bashkohen VLEN-it





Vazhdojnë largimet masive në BDI, ndërsa VLEN vazhdon të zgjerohet me prurje të reja të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj vlerave të zhvillimit dhe ndryshimit.

Së fundmi është formalizuar aderimi i dy figurave të larta lokale nga BDI, të cilët tashmë do të jenë pjesë aktive e strukturave të VLEN.

Në një takim me një nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti kalimin në VLEN e kanë bërë publike Blerim Fejzuli, anëtar i kryesisë së ngushtë të BDI Zhelinë (magjistër i shkencave mjekësore) dhe Arsim Fejzuli, kryetar i nëndegës së BDI në Uzërmisht të Zhelinës.

Ata kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të kontribuar në fuqizimin e radhëve të VLEN-it, përfaqësimin dinjitoz të interesave të qytetarëve dhe realizimin e synimeve programore të VLEN.

Gjatë takimit, Mexhiti ka përgëzuar anëtarët e rinj për vendimin e tyre, duke theksuar se VLEN mbetet shtëpia e prurjeve që besojnë në punë, ndershmëri dhe vizion të qartë për proceset politike dhe shoqërore si garanci për zhvillim të qëndrueshëm dhe ndryshim pozitiv.

VLEN do të vazhdojë me ritmin e saj të konsolidimit dhe zgjerimit, duke mirëpritur çdo individ që ndan vlerat e demokracisë, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj interesit qytetar.