Projektimet ekonomike të vjeshtës të Komisionit Evropian, që u publikuan dje, janë sinjal i qartë se po lëvizim në drejtim pozitiv, vlerëson Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në postimin e saj në Facebook, ajo thekson se projeksioni i rritjes së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut është rritur për vitin 2025 dhe 2026, që është konfirmim i stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe besimit në politikat tona ekonomike.
Siç thuhet në postim, në këtë Raport vërehet se në gjysmën e parë të vitit, rritja e PBB-së ishte më e lartë sesa pritej, e mbështetur nga investimet, konsumi privat dhe performanca e përmirësuar e eksportit.
“Investimet në infrastrukturë dhe sektorin privat pozicionohen si nxitës të rritjes në vitet e ardhshme, ndërsa stabilizimi i inflacionit përforcon më tej parashikueshmërinë ekonomike. Paralelisht me këtë, realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe zbatimi i reformave nga Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor i BE-së do të kenë kontribut më të madh dhe më të shpejtë në zhvillim”, shkruan Gordana-Koçoska.
Siç shkruan ministrja, këto janë sinjale pozitive nga KE-ja të cilat janë nxitje e fortë për të vazhduar politikat e përgjegjshme që përforcojnë ekonominë dhe përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve.
“Si Qeveri dhe si Ministri e Financave, mbetemi të përkushtuar në financa publike të qëndrueshme, investime dhe reforma të fokusuara që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik”, thekson ministrja.
Njëkohësisht, në Raportin e vjeshtës së KE-së, projeksioni për rritjen ekonomike për vitin 2025 është 3.2% dhe është rritur për 0.2 p.p. krahasuar me raportin paraprak. Gjithashtu, KE-ja projeksionin për vitin 2026 e rishikoi në nivel me të lart, përkatësisht është rritur në 3.3%, ndërsa për vitin 2027 parashikohet rritje prej 3.3%.