Diaspora shqiptare – zemra që mban gjallë kombin

Nga Arben LLALLA

Diaspora shqiptare është zemra që rreh me ritmin e kombit. Ajo që mban gjallë shpresën, ndihmon zhvillimin dhe ringjall ndjenjën kombëtare në çdo cep të botës ku jeton shqiptari. Por ndër të gjitha trevat, diaspora e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka një veçanti të thellë historike, emocionale dhe politike. Ajo nuk është vetëm burim ekonomik, por një shtyllë e fortë e ekzistencës sonë kombëtare.

Këta mërgimtarë, që u larguan nga trojet shpesh që në vegjëli, nuk e harruan kurrë rrënjën, gjuhën e nënës, flamurin e gjyshërve. Edhe pse kanë ndërtuar jetë të reja në shtete të zhvilluara, zemra e tyre ka mbetur gjithmonë në vendlindje. Ata janë njerëz që, sa herë ka trokitur nevoja kombëtare, kanë lënë gjithçka për t’u kthyer pranë vëllezërve të tyre.

Kujtojmë me respekt 12 janar 1992, u mbajt referendumi për Autonomi Politike dhe Territoriale të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, kur mijëra shqiptarë nga diaspora u kthyen për të votuar në k;t; referendumin, duke treguar se identiteti nuk shuhet me largësi. Kujtojm; luft;n e 2001 ku qindra djem e vajza nga diaspora erdhën dhe u rreshtuan në UÇK, pa folur për ndihmën e vyer ekonomike.

Kujtojmë gjithashtu momentet kur komunat shqiptare rrezikoheshin politikisht dhe mërgimtarët tanë u kthyen për të dhënë votën e dinjitetit dhe të ekzistencës. Ata nuk janë thjeshtë ndihmues financiarë, por mbrojtës të bindjeve kombëtare dhe të dinjitetit shqiptar.

Në çdo periudhë të historisë moderne, diaspora e Maqedonisë ka qenë përpara në çdo kauzë shqiptare — nga ndihmat për familjet e varfra, te mbështetja e arsimit shqip, nga ruajtja e kulturës e traditës në mërgim, te pjesëmarrja aktive në çështjet politike të vendit të origjinës. Ata janë dëshmi e gjallë se shqiptaria nuk njeh kufij gjeografikë, as pengesa administrative.

Kjo diasporë është një shembull se si dashuria për kombin mund të kthehet në forcë konkrete. Përmes tyre, shumë familje shqiptare mbijetuan ekonomikisht, shumë shkolla u ndërtuan, shumë çështje kombëtare morën jehonë ndërkombëtare. Ata janë ambasadorët e heshtur, por të përhershëm të kombit tonë.

Në shumë aspekte, diaspora e shqiptarëve të Maqedonisë dallon nga mërgimtarët e trojeve të tjera. Kjo diasporë nuk është vetëm kontribuuese ekonomike, por edhe bartëse e peshës kombëtare. Ajo është e përfshirë në çdo proces politik, kulturor dhe shoqëror që lidhet me shqiptarët në vendlindje. Nga Zvicra në Gjermani, nga Suedia në Shtetet e Bashkuara, mërgimtarët e Maqedonisë kanë krijuar shoqata, organizata dhe rrjete bashkëpunimi që synojnë një qëllim të vetëm: forcimin e faktorit shqiptar. Ata janë ambasadorë të heshtur të kombit, që përfaqësojnë me dinjitet identitetin dhe kulturën shqiptare në çdo vend ku jetojnë.

Ne, që jetojmë në troje, duhet të mësojmë të vlerësojmë më shumë sakrificën e tyre. Nuk mjafton t’u themi “faleminderit” një herë në vit, kur vijnë për pushime. Duhet të përulemi me respekt për kontributin e tyre të përditshëm, për djersën që shndërrohet në mbështetje për familjet, për ndjenjën e lartë kombëtare që ata e mbajnë si flamur në çdo vend të botës.

Diaspora shqiptare e Maqedonisë së Veriut është, pa dyshim, një nga pasuritë më të mëdha të kombit. Ajo është ura që lidh traditën me të ardhmen, e kaluara me të sotmen, atdheu me botën.
Prandaj, çdo herë që flasim për shqiptarizëm, për përpjekje e sakrificë, duhet ta kujtojmë me nder këtë diasporë që nuk u dorëzua kurrë, që nuk e harroi kurrë origjinën.

Faleminderit, diasporë! Ju jeni zemra që rreh për ne, krenaria që na mban gjallë dhe garancia e vazhdimësisë sonë kombëtare.