A do të sjellë Qeveria një Kod të ri Penal së shpejti, siç kërkoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për shkak të ndryshimeve kontestuese të miratuara dy vite më parë? Gjykata Kushtetuese në shkurt hapi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit dhe i dha Kuvendit afat 6-mujor për t’i korrigjuar dispozitat. Edhe pse ky afat ka kaluar, në Kuvend nuk ka ende informacione se deri ku ka arritur procedura. Kryetari Afrim Gashi ditëve të fundit deklaroi se “dera për Kodin e ri Penal është e hapur”, por se ende nuk ka propozim nga Qeveria. As deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, nuk ka informacione se kur ligji do t’u dorëzohet deputetëve.
“Është shumë e vështirë të përgjigjem në këtë pyetje nga pozita e opozitës, veçanërisht kur pushteti është mjaft i mbyllur sa i përket ligjeve thelbësore – e mbyllur nga aspekti që ose Qeveria nuk i dorëzon fare, ose i dorëzon me procedurë të shkurtuar përmes një grupi deputetësh, dhe kjo është vërejtur edhe në Raportin e Komisionit Evropian”, tha Slavjanka Petrovska.
Kodi i ri Penal pritet t’i korrigjojë ndryshimet përmes të cilave u amnistuan funksionarë të përfshirë në korrupsion dhe në keqpërdorim të funksionit publik, për shkak të të cilave disa lëndë ndaj ish-funksionarëve tashmë janë vjetërsuar. Për këtë pati vërejtje edhe në Raportin e Komisionit Evropian. Ligji është gjithashtu pjesë e detyrimeve të marra me agjendën reformuese, me afat miratimin deri në dhjetor të këtij viti. Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në një intervistë për agjencinë MIA tha se ligji është në fazën përfundimtare. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili këtë javë paralajmëroi se ndryshimet do të bëhen deri në fund të vitit.
“Për Kodin Penal, këtë po e bëjmë nën presionin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë do ta përfundojmë deri në Vitin e Ri. Ato ndryshime do të futen në parlament, që të mos ndodhë të bëjmë një amnisti të përgjithshme kolektive në shoqëri dhe të gjithë kriminelët që janë në burg të dalin. Secili duhet të mbajë përgjegjësi para se të marrë çfarëdo vendimi”, deklaroi Hristijan Micksoki.
Ndryshimet e fundit të Kodit Penal u miratuan në shtator të vitit 2023 nga Qeveria e kaluar, me procedurë të shpejtuar përmes flamurit evropian, me ç’rast një numër i madh ish-funksionarësh u shpëtuan nga ndjekja penale. Sipas analizave të Gjykatës Penale, në momentin e miratimit të ndryshimeve ishin duke u zhvilluar procedura ndaj 197 personave të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.