Deklaratë publike e Sekretariatit për Mundësi të Barabarta të BDI- Dega Tetovë





Ne, anëtaret e Sekretariatit për Mundësi të Barabarta të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, të shqetësuara nga zhvillimet e fundit që kanë tronditur opinionin publik, ndjejmë detyrimin moral dhe politik të shprehim qëndrimin tonë publik.

Ngjarjet e fundit kanë hapur debat të gjerë në shoqëri dhe kanë ngritur nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë. BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të qarta politike dhe morale – integritet, drejtësi, barazi dhe përkushtim ndaj qytetarëve – vlera të cilat duhet të ruhen dhe të përfaqësohen me dinjitet nga të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit tanë.

Si gra të angazhuara në jetën politike dhe shoqërore, theksojmë rëndësinë e transparencës, përgjegjësisë dhe etikës publike në çdo nivel të vendimmarrjes. Kërkojmë nga udhëheqësia e partisë që të ndërmarrë hapa të qartë për të siguruar që këto parime të jenë udhërrëfyes në çdo veprim e deklarim publik.

Ne mbesim të përkushtuara ndaj idealit, vizionit dhe misionit të Bashkimit Demokratik për Integrim, të udhëhequr nga Kryetari z. Ali Ahmeti, duke besuar se vetëm përmes unitetit, reformimit të brendshëm dhe forcimit të besimit qytetar, mund të vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të ndritur për të gjithë.

Me respekt,
Sekretariati për Mundësi të Barabarta BDI -Dega Tetovë