CMG-ja dhe KON-I3 nënshkruajnë marrëveshje afatgjatë për të drejtat e medias për Lojërat Olimpike 2026-2032

Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) nënshkruan të dielën në Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore një marrëveshje afatgjatë për të drejtat e medias për edicionet e ardhshme të Lojërave Olimpike nga viti 2026 deri në vitin 2032. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua vetëm disa orë para fillimit zyrtar të Lojërave të 15-ta Kombëtare të vendit.

Shen Haixiong, zv.drejtor i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Grupit Medial të Kinës, deklaroi se fryma olimpike është një komponent i rëndësishëm i qytetërimit njerëzor dhe përputhet shumë me qëllimet e Kinës për të çuar përpara në mënyrë gjithëpërfshirëse modernizimin kombëtar dhe përtëritjen e madhe të kombit kinez, si dhe me vizionin e saj për të ndërtuar një komunitet me të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Grupi Mediatik i Kinës do të studiojë dhe zbatojë me kujdes udhëzimet e rëndësishme të presidentit Xi Jinping mbi promovimin e frymës olimpike dhe frymën e sporteve kineze, do të promovojë në mënyrë gjithëpërfshirëse bashkëpunimin me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe do të kombinojë frymën olimpike me kulturën e shkëlqyer tradicionale kineze përmes transmetimit të ngjarjeve të mëdha sportive dhe organizimit e promovimit të aktiviteteve sportive dhe kulturore. Kjo do të kontribuojë në ndërtimin e një kombi të fortë sportiv dhe një Kine të shëndetshme, dhe do të vazhdojë të promovojë zhvillimin e fuqishëm të Lëvizjes Olimpike në nivel global.

Në vizitën e saj të parë në Kinë që nga marrja e detyrës si presidente e KON-it, Kirsty Coventry tha se është me rëndësi të madhe për të dyja palët që e nënshkruajnë marrëveshjen në të njëjtën ditë me ceremoninë e hapjes së Lojërave Kombëtare.

Coventry vuri në dukje se marrëveshja jo vetëm që shton një kapitull të ri në lidhjet afatgjata midis CMG-së e KON-it, por gjithashtu përfaqëson një angazhim të përhershëm nga të dyja palët për të promovuar paqen dhe unitetin me sportivitet.

Ish-kreu i KON-it, Thomas Bach, mori pjesë gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit. Ai tha se ishte i impresionuar nga puna dhe profesionalizmi i shkëlqyer i CMG-së gjatë bashkëpunimit me organin drejtues olimpik.

Bach shtoi se është i kënaqur që një partneritet i tillë do të trashëgohet nga Coventry, që mund ta çojë marrëdhënien në fazën tjetër të zhvillimit.

Marrëveshja i dha CMG-së të drejtat ekskluzive të transmetimit në Kinën kontinentale dhe Rajonin e Posaçëm Administrativ të Makaos për Lojërat Olimpike Dimërore 2026 e 2030, si dhe Lojërat Olimpike Verore 2028 dhe 2032, së bashku me Lojërat Olimpike Rinore 2026 dhe 2030.

CMG-ja dhe KON-i publikuan gjithashtu logon krijuese për mbulimin nga CMG-ja të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026.