Clark: Pjesëtarët e UÇK-së ishin personalitete të forta, edhe jeta e familjeve të tyre varej nga vendimet që merrnin
Gjenerali amerikan, Wesley Clark po vazhdon dëshminë e tij në Hagë.
Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, ka deklaruar se Ramush Haradinaj ishte “një komandant i fuqishëm” dhe “më i pavarur si natyrë”.
Ai tha se pjesëtarët e UÇK-së ishin personalitete të forta që rrezikonin jetën dhe merrnin vendime nga të cilat varej edhe jeta e familjeve të tyre.
Sipas Clark, ata “nuk ishin vartës të mirëfilltë” dhe mungonte një strukturë e qartë komande e kontrolli. Ai theksoi se ky qëndrim vazhdoi edhe pas fushatës ajrore të NATO-s.
“Ramush Haradinaj, që ka qenë një komandant i fuqishëm, ishte më i pavarur si natyrë. Kjo ishte përshtypja ime. Këta [pjesëtarët e UÇK-së] ishin personalitete të forta, persona që kanë rrezikuar jetën, jeta e familjeve të tyre varej prej vendimeve të tyre. Këta nuk ishin vartës të mirëfilltë, nuk ekzistonte strukturë komande dhe kontrolli, ishin persona që luftonin për jetën gjatë fushatës ajrore të NATO-s. Dhe këtë qëndrim e mbajtën edhe pas fushatës ajroje. Prandaj Jackson e pati vështirë me këta persona”, tha Clark.