Ukraina ka rënë dakord për një marrëveshje paqeje me Rusinë, me vetëm detaje të vogla që kanë mbetur për t’u përpunuar, raportoi sot “CBS News”, duke cituar një zyrtar amerikan, transmeton Anadolu.
“Ukrainasit kanë rënë dakord për marrëveshjen e paqes. Ka disa detaje të vogla që duhen zgjidhur, por ata kanë rënë dakord për një marrëveshje paqeje”, tha zyrtari për median.
Raporti erdhi pasi sekretari i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov tha se delegacionet “arritën mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet kryesore të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë”.
Ndërkohë, sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll u takua me zyrtarë rusë në Abu Dhabi, thanë dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime diplomatike. Driscoll kaloi orë të tëra duke negociuar sot me përfaqësuesit rusë, tha një zyrtar ushtarak amerikan.
Driscoll po punon në Abu Dhabi për një version të rishikuar të propozimit prej 28 pikash të Shtëpisë së Bardhë pas negociatave të Gjenevës. “Ne mbetemi shumë optimistë. Sekretari Driscoll është optimist. Shpresojmë se do të marrim reagime nga rusët së shpejti. Kjo po ecë shpejt”, tha zyrtari.
Përfaqësues nga SHBA-ja, Ukraina dhe Evropa u takuan të dielën në Gjenevë të Zvicrës, për të diskutuar mbi përfundimin e luftës që po zgjat më shumë se tre vjet e gjysmë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha të hënën se plani tani ka “më pak pika” dhe “shumë elementë të duhur” pas negociatave. Ai tha se ka ende punë për të bërë për të finalizuar dokumentin.
Drafti origjinal thuhet se kërkonte që Ukraina t’i dorëzonte territor shtesë Rusisë, të kufizonte madhësinë e saj ushtarake dhe të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO.