Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia e saj nuk do të mbështesë projektbuxhetin e propozuar nga qeveria e Albin Kurtit, duke theksuar se Kosova përballet me mungesë zgjidhjeje dhe është e destinuar për zgjedhje të reja.
“Ne nuk do ta votojmë një buxhet të tillë, vendi do të shkojë në zgjedhje, sepse vendi nuk ka zgjidhje. Ky vendim nuk kalon, sepse nuk kalon në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se Albin Kurti nuk ka pasur 61 vota për t’u bërë kryeministër më 26 tetor dhe se qeveria e tij nuk ka legjitimitet për të miratuar buxhetin.
Bajrami po ashtu ka bërë të ditur se LDK nuk ka dashur votat e Listës Serbe, duke theksuar se një qeveri e tillë do të ishte e shkurtër dhe jo stabile.
Bajrami, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ndryshon dhe se largimi i tij nga pushteti do të ishte “nderi më i madh që i bëhet vendit”.
“Albin Kurti nuk ndryshon është i pandryshueshëm dhe LDK duhet të bëjë përpjekje maksimale që me arrit një rezultat të mirë në zgjedhje dhe me qenë partnere në një koalicion qeverisës i cili ka 80 numra që është në gjendje me zgjedh edhe presidenten me një qeveri pa Albin Kurtin”, ka deklaruar Bajrami në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ajo ka theksuar se marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë dëmet më të mëdha politike që i ka shkaktuar vendit Albin Kurti.
“Unë besoj që largimi i Albin Kurtit, shkuarja e tij në opozitë është nderi më i madh që i bëhet vendit, marrëveshja e Brukselit dhe Ankesi i Ohrit janë dëmet më të mëdha, kolosale politike që i ka shkaktu Albin Kurti”, ka deklaruar Bjarami.