Një studim i ri i Bankës Botërore paralajmëroi sot se gati 90 për qind e popullsisë së Azisë Jugore do të jetë në rrezik nga nxehtësia ekstreme dhe pothuajse një e katërta në rrezik nga përmbytje të rënda deri në vitin 2030.
Raporti i titulluar “Nga rreziku te rezistenca: Ndihma për njerëzit dhe firmat për t’u përshtatur në Azinë Jugore”, bazuar në studime rastesh nga Bangladeshi, India dhe Pakistani, tha se Azia Jugore është një nga rajonet më të prekshme nga ndryshimet klimatike në botë për shkak të popullsisë së saj të dendur, temperaturave në rritje dhe gjeografisë së ekspozuar.
Studimi tha se rajoni pritet të përballet me goditje “më të shpeshta dhe më të rënda të motit” gjatë dekadës së ardhshme. Deri në vitin 2030, 1.8 miliard njerëz, 89 për qind e popullsisë, parashikohet të jenë të ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme ndërsa 462 milionë njerëz mund të përballen me përmbytje të mëdha.
Raporti bën thirrje për sisteme më të forta paralajmëruese të hershme, programe të synuara për të ndihmuar familjet vulnerabël dhe politika për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me rreziqet në rritje. Përderisa shumica e familjeve në zonat bregdetare dhe lumore kanë qasje në paralajmërimet për ciklonet, më pak se gjysma marrin njoftime për përmbytje ose rreziqe të tjera, thekson raporti.
Gjetjet treguan se programet e ndihmës sociale të synuara mirë, të mbështetura nga informacion i përditësuar, mund të shkallëzohen me shpejtësi gjatë goditjeve klimatike për të mbrojtur komunitetet e varfra dhe të cenueshme.
Por, raporti paralajmëron se kufizimet fiskale të qeverive nënkuptojnë se përshtatja e sektorit privat, e mbështetur nga një kuadër gjithëpërfshirës politikash, do të jetë gjithashtu kritike.