Zyra e Avokatit të popullit informoi se qytetarët mund të paraqesin çdo shkelje të të drejtave të tyre të votimit. Zyra e avokatit të popullit do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës së dielë.
Gjithashtu zyrat rajonale të Avokatit të Popullit në Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Shtip, Strumicë dhe Tetovë do të jenë të hapura për qytetarët (përveç zyrës kryesore në Shkup) me qëllim që t’i ndihmojnë ata në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të votimit.
“Avokati i Popullit do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga autoritetet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera që janë të detyruara të sigurojnë mbrojtje për të drejtat e tyre të garantuara”, thonë nga Avokati i Popullit.
Me këtë rast, Avokati i Popullit thekson se e drejta e votës është e garantuar me kushtetutë si e barabartë, universale dhe e drejtpërdrejtë dhe realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë dhe se askush nuk mund të mbahet përgjegjës për realizimin e kësaj të drejte, prandaj nuk është rastësi që shkelja e lirisë së zgjedhjes së votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, janë vepra të dënueshme.
Avokati i Popullit gjithashtu u bën thirrje të gjithë palëve të interesuara në procesin zgjedhor të respektojnë protokollet shëndetësore të përcaktuara për mënyrën e votimit.