Arben Taravari: “Kemi më shumë vota popullore, por pa kryetarë – koha do tregojë nëse shqiptarët fituan”

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke falënderuar gjithë mbështetësit dhe kandidatët e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” për një garë që, siç tha, ishte e ndershme dhe dinjitoze informon Tetovasot.

“Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë për garën që patën. Ashtu si ata, bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan,” ka shkruar Taravari.

Ai theksoi se edhe pse koalicioni AKI ka marrë më shumë vota popullore, rezultati nuk është reflektuar në numrin e komunave të fituara. “Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi, në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë, aty jemi fitues, dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por fitore kundër një shteti që na mban peng me census.”

Në vijim, Taravari bëri një analizë të situatës paszgjedhore, duke theksuar se emocionet e momentit nuk lejojnë gjykim të kthjellët. “Këto janë çaste gëzimi për fituesit, çaste të vështira për ata që nuk ia dolën, çaste zemërimi për ata që u tradhtuan dhe çaste qesharake për disa donkishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhtuan,” ka shkruar ai.

Në fund, Taravari la një pyetje të hapur për reflektim: “Me rezultatet e djeshme, a fituan shqiptarët? Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë, fatkeqësisht shumë shpejt.”Tetovasot