Zudi Xhelili
Ngadhënjeu plani i qeverisë dhe i VMRO-së për të siguruar, me çdo kusht, shumicën absolute të njësive të vetëqeverisjes lokale në vend.
Dominuan retorika antishqiptare dhe nënçmimi i faktorit politik shqiptar, si brenda, ashtu edhe jashtë qeverisë.
Roli i shtetit dhe ndikimi mbi rezultatin!
Në komunat me shumicë shqiptare, edhe raundi i dytë nuk prodhoi befasi të mëdha, por konfirmoi një realitet të ri politik: ndikimi i shtetit qendror dhe i mekanizmave të pushtetit mbi rezultatet lokale po bëhet vendimtar në shumë zona.
Pushteti qendror investoi burime institucionale, administrative dhe propagandistike për të rimarrë kontrollin territorial, sepse në Maqedoninë e Veriut pushteti lokal është themelor për kontroll politik, partiak dhe ekonomik.
Ndihma e shtetit nuk ishte thjesht përkrahje politike, por përfshinte presion, menaxhim të mediave, frikësim indirekt dhe një rrjet të gjerë interesash ekonomike.
Qeveria dhe strukturat e VMRO-së e përdorën narrativën antishqiptare si mjet mobilizimi emocional dhe si instrument presioni ndaj AKI-së në radhë të parë, por edhe ndaj partnerëve shqiptarë në qeveri.
Kushtëzimet dhe kostoja politike për shqiptarët!
Kushtëzimet e VMRO-së për të ndihmuar koalicionin VLEN në komuna si Tetovë, Strugë, Dibër e Çair, patën një kosto të lartë politike:
u humbën Kërçova dhe Bërvenica, ndërsa VMRO fitoi ndikim të konsiderueshëm, rreth 40% të pushtetit, në komunat me shumicë shqiptare.
Çfarë nxorën në pah zgjedhjet lokale 2025 për faktorin politik shqiptar!
Aty ku pati unitet, pati rezultat, shembulli më konkret është Çashka.
Aty ku lufta ishte brenda shqiptare, dhe VLEN-i lëshoi pe nën presionin e kryeministrit, u humbën komuna me peshë strategjike për shqiptarët, si Kërçova dhe Bërvenica.
Nacionalizmi antishqiptar funksionoi si instrument elektoral për palën maqedonase, duke i dobësuar strukturat shqiptare në qeveri dhe opozitë.
Përfundim!
Në shtete multietnike, demokracia nuk është luks, është mekanizëm mbijetese.
Insistimi i pushtetit për ta kontrolluar me çdo kusht edhe pushtetin lokal, duke përulur partnerët shqiptarë në qeveri dhe duke shtypur opozitën shqiptare, do të prodhojë pasoja afatgjata në raportet ndëretnike në vend.
Sepse çdo aksion politik që ndërtohet mbi nënçmim dhe frikë,
do të prodhojë reaksion politik të domosdoshëm.