Ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani: Nxënësit e Butelit në radhë të parë në pritjen për 28 Nëntorin të ceremonisë zyrtare
Nxënësit e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” dhe “Petar Zdravkovski Penko” në Butel, të cilëve disa ditë më parë iu ndalua të festonin 28 Nëntorin në mjediset e shkollës së tyre, sonte ishin mysafirë të veçantë në pritjen zyrtare të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup me rastin e Festave të Nëntorit.
Me një gjest simbolik, por thellësisht domethënës, ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, i vendosi vogëlushët në radhën e parë të të ftuarve, duke i bërë pjesë të ceremonisë zyrtare shtetërore. Ky veprim u vlerësua lart nga të pranishmit, të cilët përshëndetën me respekt dhe ngrohtësi nxënësit që vetëm pak ditë më parë ishin përballur me një vendim të padrejtë që u mohoi të drejtën për të festuar Ditën e Flamurit.
Pritja e Ambasadës së Shqipërisë u shndërrua kështu jo vetëm në një festë kombëtare, por edhe në një mesazh të qartë: tradita, identiteti dhe gjuha nuk ndalen, përkundrazi – nderohen dhe mbrohen. Ky gjest i ambasadorit Meidani u cilësua nga të pranishmit si shembull institucional që forcon ndjenjën e dinjitetit dhe përkatësisë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.