Aleksandri i ri i Maqedonisë dhe rënia e një kështjelle shqiptare





Nga Urim Saliu

Zgjedhjet përfunduan, por jehona e tyre ende dëgjohet në çdo cep të vendit. Dhe ndërsa partitë bëjnë bilancet e humbjeve dhe fitoreve, një e vërtetë del në pah: Maqedonia e Veriut ka hyrë në një epokë të re politike, të udhëhequr nga një figurë që tashmë ka pushtet absolut – Hristijan Mickovski.
Në këtë epokë të re, Kërçova, dikur simbol i qëndresës shqiptare, ka përjetuar një kthesë dramatike. Me rënien e Fatmir Deharit, që në fakt kishte nisur prej kohësh, u shemb edhe një pjesë e krenarisë politike shqiptare në këtë zonë. Rënia e tij nuk lidhet vetëm me rezultatin zgjedhor, por me lodhjen e një koncepti politik që nuk arriti të rigjenerohej.
Fatmiri ishte bërë pjesë e sistemit, jo më simbol i përplasjes me të. Ai ra për shumë arsye – nga konsumimi i gjatë në pushtet, deri te paaftësia për të ruajtur atë lidhje emocionale që dikur kishte me qytetarët. Dhe bashkë me të, u hap rruga për një tjetër figurë, të cilën Mickovski e paraqet si “Aleksandrin e madh” të Maqedonisë moderne.
Kryeministri aktual po jeton momentin e tij më të lavdishëm. Ai fitoi gjithçka me kartën e nacionalizmit, dhe sapo e siguroi pushtetin, nisi ta zbusë retorikën, duke përmendur ndonjë shqiptar a mysliman, vetëm për të mbuluar synimin e vërtetë: rikthimin e Maqedonisë te maqedonasit. Fjalët e tij “Maqedonia është sërish ytja” nuk janë një slogan elektoral – janë një program politik.
Në anën tjetër, partitë shqiptare ndodhen në krizën më të thellë të viteve të fundit. Koalicioni AKI nuk jep shenja stabiliteti dhe mund të shpërbëhet në çdo moment, ndërsa as brenda VLEN-it nuk ka garanci për unitet të gjatë. Sepse realiteti është i qartë – tashmë, asgjë nuk është në duart e partive shqiptare. Çdo gjë varet nga Mickovski dhe mënyra se si ai zgjohet në mëngjesin e nesërm.
Kërçova humbi simbolikën e saj politike, por ndoshta fitoi një mësim të madh: se pushteti nuk është përjetësi, dhe se kështjellat e ngritura mbi interesat e ngushta, një ditë shemben. Historia po përsëritet, vetëm se këtë herë, Aleksandri i ri nuk është mit, por një realitet politik që do të përcaktojë fatin e gjithë vendit.