Ja çfarë po ndryshon dhe çfarë mbetet e njëjtë sipas ligjit të ri të TVSH-së. Qytetarët nuk do të paguajnë asgjë më tepër për dërgesat nga jashtë vendit. Ministria kompetente siguron se sistemi mbetet i njëjtë dhe ndryshimet do të parandalojnë vetëm abuzimet dhe do të forcojnë ekonominë.
“Qytetarët nuk do të paguajnë asgjë shtesë, kur marrin dërgesa nga jashtë vendit, përfshirë edhe ato të porositura përmes platformës TEMU”, edhe pas ndryshimeve në Ligjin e TVSH-së”, thonë në Ministrinë e Financave, duke i siguruar qytetarët se “nuk ka vend për panic”, sepse, sipas tyre, sistemi i marrjes dhe zhdoganimit mbetet i njëjtë.
“Edhe pas ndryshimeve, TVSH-ja vazhdon të llogaritet në çmimin e produktit. Qytetarët nuk do të kenë kosto shtesë, ose ndonjë detyrim të ri, kur marrin dërgesa”, njoftojnë nga Ministria e Financave.
Sipas shpjegimit, platforma si TEMU, deri më tani e kanë llogaritur taksën në çmimin përfundimtar dhe pagesa ndaj shtetit, është bërë nga shpedicioni ose operatori postar i autorizuar.
“Ky sistem mbetet i pandryshuar. Vetëm rregulli i vjetër për dërgesat deri në 22 euro po hiqet, gjë që krijoi hapësirë për abuzim”, njoftoi Ministria.
Me ndryshimet e miratuara, Parlamenti hoqi përjashtimin nga TVSH-ja për dërgesat deri në 22 euro./”plusinfo”