“A do të ketë mandatar të dytë për qeverinë e re”, krejt çka u tha dje pas takimit të partive me Presidenten

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje ka takuar krerët e partive politike në vazhdën e përpjekjeve për krijimin e qeverisë së re, takim i cili zgjati rreth dy orë. Në takim u bë e qartë se asnjë parti politike nuk është në gjendje që të krijojë shumicën parlamentare, ndërsa u diskutua edhe për mandatarin e dytë.

Osmani tha se në takim kishte qëndrime të ndryshme nga partitë politike, nëse do të ketë një mandatar të dytë. Ajo tha se vendimi për mandarin e dytë, skadon më 5 nëntor.

“Gjatë këtij takimi, diskutuam për një sërë çështjes, kryesorja natyrisht që konsultimet të ndodhin para caktimit të mandatarit tjetër, dhe diskutuam nëse dikush nga partitë politike e kanë shumicën e nevojshme për qeveri. esoj i keni dëgjuar përfaqësuesit e parive politike, disa kishin qëndrime që nuk mund të krijojnë shumicë, por edhe që duhet të takohemi sërish për caktimin e një mandatari të ri. Institucioni i presidencës i ka 10 ditë në marrjen e vendimit nëse mandatohet mandatori i dytë. Kjo skadon më 5 nëntor. Deri në atë ditë unë do të vazhdoj komunikimin me krerët e partive. A do të ketë propozim për mandatar tjetër apo jo, është çështje e partive. Kishte qëndrime jo unanime rreth asaj se a mund të ketë mandatar tjetër apo jo”, tha Osmani.

Pas takimit me Osmanin dje u largua me nxitim kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha shkurt se “Kushtetuta dhe ligji janë të qarta”.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten, ka thënë se ka ky takim u bë e qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale.

“Takimi bëri të qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Kurti na i ka humbur 8 muaj me manipulim e mashtrim dhe tash po i kërkon dhe disa ditë. Ai në mënyrë të kundërligjshme po vazhdon që të qëndrojë në zyrë dhe të marrë vendime të kundërligjshme. Është e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira, ai nuk mund ta bëjë shumicën. E mori fjalën kah gjysma e takimit, nuk është se tha shumë diçka. Vetëm ka të nënkuptohet se dëshiron me i pasë edhe disa ditë për me vazhdu këtë agoni”, tha Krasniqi.

Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në takim ironikisht u përmend ideja e qeverisë së unitetit, por shtoi se kjo në këtë fazë është e pamundur.

Abdixhiku ta se në takim pati edhe pretendime nga kreu i VV-së, Albin Kurti që duhet provuar edhe një herë formimin e qeverisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kishim takim konsultativ, për të diskutuar një pikë të vetme, caktimi i mandatarit tjerër. U dëshmua që në Kosovës sipas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare. Në rrethanat e tanishme rrjedhimisht afatet kushtetuese na detyrojnë të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. Në këtë takim u përmend shumë më shpesh ironikisht qeveria e unitetit. Tani kërkohet një fazë parlamentare për krizë por është e pamundur. Sa më parë që organizojmë zgjedhjet, i shmangim krizat e mëtejshme. Pat dhe pretendime nga kryetari i VV-së se ndoshta duhet provuar edhe njëherë, por shumica e partive politike ishin të qarta se nuk ka shumicë”, tha Abdixhiku pas takimit.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, dje pas takimittha se Osmani u ka kërkuar partive të sqarojnë se e kanë shumicën, teksa zbuloi se kreu i VV’së ka kërkuar disa ditë kohë, shkruan Reporteri.net.

Sipas Haradinajt, me shumë gjasë s’do të ketë mandatar tjetër, por se Kurti po e shfrytëzon këtë veç për të fituar kohë.

“Në takimin e sotëm, Presidentja kërkoi nga ne të sqarojmë se a e kemi shumicën për qeveri, dikush nga ne nëse e ka dhe kërkoi të gjendet zgjidhje e përkohshme për buxhetin dhe fondin nga BE…Kurti nuk ishte i qartë se a e është vetë mandatar apo e propzon veten. Situatë jo e lehtë për Presidenten””, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare, teksa si datë që tha se e cilëson si të përshtatshme për zgjedhje është 7 dhjetori.

“Kërkoi edhe disa ditë, që nuk ishte shumë serioze si kërkesë, megjithatë Presidentja ka afat deri më 5 nëntor., Besoj që me 5 nëntor do ta marrim edhe lajmin që do të shpërbëhet parlamenti…Data 7 dhjetor do të ishte opsion, me ia kursy Kosovës një jave”, tha Haradinaj.

Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj ka thënë se shkuarja në takimin te presidentja është ‘’obligim kushtetues’’.

‘‘Shkuarja e sotme është obligim kushtetues, që me kanë transkript që me kanë e shënuar, mos me pas mundësi me u keqpërdor, me deklarua qëndrimin partitë opozitare. Në transkript edhe ajo e kryn një detyrë kushtetuese edhe ne. Prezenca e sotme aty ka qenë detyrim kushtetues, për mos me lanë kurrfarë hapësirë të devijimit ose të keqpërdorjes së situatave’’, ka thënë ai, në T7.

Ai ka thënë edhe se gjatë takimit, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmanit, duke i thënë se ‘’kurrë ma lehtë s’e ke pas këtë punë’’, pasi që partitë e mëdha kanë kërkuar të shkojnë në zgjedhje.

‘’Mas deklarimit të dy partitë të mdhaja, tri në fakt, që nuk kanë shumicë dhe kërkojnë me shku drejtë zgjedhjeve nuk kanë mandatar nuk kanë ofru mandatar, unë kam thanë presidente kurrë ma lehtë se ke pas këtë punë, nuk ke nevojë me prit këtë çështje, tanimë e keni të deklaruar publikisht që nuk ka mundësi me pas mandatar të dytë dhe nuk ka përpjekje me pas mandatar të dytë. Me dashtë këta njerëz këtu munde me ndërtu një qeveri kalimtare sot. Por po shihet që s’ka vullnet politik. Pastaj na është kërkuar nga kryetari i VV që për dy ditë një konsultim. Mandat presidentja nuk mundet me dhanë nëse s’ka demonstrim të shumicës. Presidentja e ka të qartë, shumë të qartë që shumicë për të ndërtuar qeverinë nuk ka në këtë përbërje të parlamentit’’, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.