Ziadin Sela thirrje mërgimtarëve: Ejani më 19 tetor dhe votoni për referendum të shqiptarëve, jo më përfaqësues të zgjedhur nga Mickoski!(VIDEO)

Në një tubim të fuqishëm të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Kërçovë, Ziadin Sela, dha një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për mërgatën dhe gjithë qytetarët shqiptarë, duke e cilësuar datën 19 tetor si një referendum kombëtar për të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në fjalimin e tij, Sela theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje, duke e konsideruar këtë proces jo thjesht një votim, por një moment historik për vetëvendosje dhe dinjitet kombëtar, njofton TS.

“Mërgata të vijë më 19 tetor dhe ta japë mesazhin shumë qartë: kjo është një referendum! Jo Ali Ahmetit, as Ziadin Selës, as kujtdo tjetër që i shërben agjendave të huaja. Ky është një referendum i shqiptarëve, të cilët me votë do të thonë: A do të lejojmë që Mickoski të na zgjedhë përfaqësuesit tanë, apo do t’i zgjedhim vetë, me votë, ashtu siç duam?”, deklaroi ai.

Duke folur me gjuhën e ndjenjës dhe përgjegjësisë kombëtare, Sela nënvizoi se mbrojtja e trojeve dhe interesave shqiptare nuk bëhet vetëm në kohë lufte, por edhe në paqe, përmes votës dhe politikave të qarta kombëtare.

“E dashur mërgatë, të dashur shqiptarë – vatani, vendi dhe trojet mbrohen në dy mënyra: me pushkë në luftë dhe me politikë në paqe. E tani ka ardhur koha që, përmes politikës dhe përkrahjes së forcave kombëtare, ta mbrojmë vendin tonë, shtëpitë tona dhe të ardhmen tonë,” përfundoi Ziadin Sela.

Ky tubim në Kërçovë vjen në kuadër të intensifikimit të fushatës së AKI-së, e cila po e pozicionon veten si alternativë kombëtare përfaqësuese në zgjedhjet e 19 tetorit.