Zelensky thirrje liderëve botërorë të mos e humbin momentin për paqe edhe në Evropë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos humbin momentin për të arritur paqe edhe në Evropë, pas përparimit të arritur në Lindjen e Mesme me marrëveshjen për armëpushim në Gaza.

“Lufta në Evropë mund të marrë fund gjithashtu”, tha ai, duke shtuar se udhëheqja e Shteteve të Bashkuara dhe e partnerëve të tjerë është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Ai bëri të ditur se kishte biseduar për gati një orë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, për këtë çështje, raporton The Guardian.

“Tani që lufta në Lindjen e Mesme po përfundon, është e rëndësishme të mos humbim momentin për të çuar përpara procesin për paqe. Lufta në Evropë mund të marrë fund gjithashtu, dhe për këtë, udhëheqja e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë është thelbësore”, ka shkruar Zelensky në platformën X. “Sot, kalova gati një orë duke biseduar për këtë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Po analizojmë qëndrimet tona. Është e rëndësishme që presidenti Trump arriti të ndërmarrë hapat e nevojshëm për lirimin e pengjeve dhe ndalimin e luftës në Gaza. Pa dyshim, veprimet e duhura nga Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë edhe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ne kemi një vizion të përbashkët për këtë”.

Zelensky tha gjithashtu se diskutuan me presidentin finlandez për sulmet e fundit të Rusisë ndaj sektorit energjetik të Ukrainës dhe për nevojën për të forcuar mbrojtjen ajrore.

“Jam mirënjohës për gatishmërinë për të ndihmuar. Rusisë duhet t’i hiqet mundësia për të vazhduar luftën dhe terrorin dhe kjo mund të bëhet baza më e besueshme për paqe në rajonin tonë”, përfundoi ai.