Zelensky i gatshëm t’u bashkohet Trumpit e Putinit në takimin në Hungari

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të ishte gati t’u bashkohej Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit në një samit të propozuar në Hungari, nëse do të ftohej.

Presidentët e SHBA-së dhe Rusisë njoftuan të enjten se planifikonin të zhvillonin bisedime mbi luftën në Ukrainë në Budapest, ndoshta në javët e ardhshme.

“Nëse është një ftesë në një format ku takohemi si tre ose, siç quhet, diplomaci e shpejtë… atëherë në një format apo në një tjetër, ne do të biem dakord”, u ka thënë Zelensky gazetarëve.

Ndërkohë, mediat kanë raportuar të dielën se takimi i tij në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin të premten u shndërrua në një “takim me britma” – pasi pala amerikane i ka këkuar Ukrainës të pranonte kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky ishte i rezervuar gjatë konferencës së tij të parë për shtyp pas takimit me Trumpin por komentet e tij e bënë të qartë se kishte fusha të mëdha mosmarrëveshjesh midis dy palëve.

Ai e ka përshkruar takimin si të sinqertë dhe ka deklaruar se i kishte thënë Trumpit se qëllimi i tij kryesor ishte një paqe e drejtë, jo një paqe e shpejtë.

Ai ka kritikuar Hungarinë si vendndodhjen e bisedimeve të mundshme Trump-Putin, duke thënë se kryeministri i vendit Viktor Orban nuk mund të bënte “asgjë pozitive për ukrainasit ose as të ofronte një kontribut të ekuilibruar”.