Wadephul: Pa përparim drejt BE-së, Ballkani Perëndimor rrezikon ndikim të fortë nga Rusia dhe Kina

Ministri gjerman për Punë të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane, por se në rajon po rritet mosbesimi se në një të ardhme të afërt do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Siç paralajmëroi ai, kjo sjell rrezikun e një “kthimi në kohërat e vjetra të armiqësive dhe të rritjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës”.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane. Prandaj për ne është e qartë: rrugën drejt BE-së do ta ndjekim së bashku me gjashtë vendet e rajonit,” deklaroi Wadephul në prag të takimit ministror për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kështjellën Hillsborough pranë Belfastit, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Në takim marrin pjesë ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministra apo përfaqësues të lartë nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Greqia, Bullgaria dhe vende të tjera.

Takimi dyditor po zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe ka për qëllim përgatitjen e samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Londër më 22 tetor.