Von der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE

Synimi që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është me të vërtetë pranë arritjes”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa hapi konferencën e parë për investime Mali i Zi-BE në vendpushimin turistik Lushtica, pranë Tivatit.

Von der Leyen tha se janë bërë hapa pozitivë dhe se ka ardhur koha të investohet në Mal të Zi.

“Ju jeni shumë ambiciozë dhe kjo na pëlqen”, tha shefja e Komisionit Evropian.

Siç theksoi zyrtarja evropiane, duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, vlerësoi se BE-ja është partnerja më e rëndësishme strategjike dhe investuesja më e madhe në Mal të Zi.

Ai njoftoi për një cikël investimesh që e presin Malin e Zi në vitet e ardhshme.

“Një cikël që do t’i tërheqë mbi 3 miliardë euro. Ky është mesazhi kryesor që nga sot: Mali i Zi është i hapur për biznes dhe se tani është koha për të investuar”.

Spajiq përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në BE.

“Deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028”, tha Spajiq.

Ai theksoi, gjithashtu, se kjo është një mundësi për BE-në që të tregojë se politika e zgjerimit “është gjallë”.

Në konferencë, e cila iu kushtua zhvillimit të qëndrueshëm, do të prezantohen katër projekte të investimeve evropiane në ekonominë e Malit të Zi dhe do të nënshkruhen dhjetë memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme. /Rel