Vlora Çitaku: PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve lokale – në Prishtinë jemi në balotazh

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK është partia fituese e këtyre zgjedhjeve lokale.

Çitaku pas mbylljes së vendvotimeve në gjithë Kosovën, ka falënderuar të gjithë qytetarët për besimin e dhënë ndaj partisë së saj.

“Kam kënaqësinë të ju konfirmoj se Partia Demokratike e Kosovës është fituese e këtyre zgjedhjeve. PDK ka fituar në më së shumti komuna pa balotazh dhe është në më së shumti komuna në balotazh. Po ashtu, PDK ka marrë numrin më të madh të votave partiake, duke u konfirmuar si forca politike me më së shumti asamblistë nëpër kuvendet komunale të vendit”, ka thënë ajo.

Çitaku duke komentuar rezultatet e parashikuara të exit poll-eve, “me gjithë respektin për to”, ka thënë se e vërteta është në kutitë e votimit.

“Konkretisht, sa i përket Kryeqytetit, Prishtinës, kandidati ynë për kryetar, Uran Ismaili, jemi te bindur se është në balotazh. Këtë na e konfirmojnë ekipet tona nga terreni dhe matjet tona te brendshme. Kjo do të konfirmohet edhe brenda pak orësh, pas përfundimit të numërimit të votave për kryetarët e komunave. Me këtë rast, u bëjmë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve tanë që të ruajnë çdo votë, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo parregullsi eventuale. Votat e qytetarëve janë besimi më i shenjtë që duhet mbrojtur deri në fund”, ka theksuar Çitaku.

Ajo tha se qytetarët zgjodhën modelin “më të mirë të qeverisjes lokale, atë të Partisë Demokratike të Kosovës, për çka u shpreh mirënjohëse”.

“Në tërësi, sot fituan qytetarët, fituan zgjedhjet e lira dhe të drejta, fitoi demokracia e pjekur e Kosovës. Por mbi të gjitha, fituan qytetet dhe komunat që besuan në punë, në përgjegjësi dhe në vizion. Fituan qytetarët që zgjodhën modelin më të mirë të qeverisjes lokale, atë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne jemi thellësisht mirënjohës për çdo votë të dhënë sot, për çdo qytetar që e ushtroi të drejtën e tij demokratike, që besoi tek ekipi ynë, tek kandidatët tanë dhe tek vizioni ynë për zhvillim e dinjitet. Tani, vazhdojmë me përkushtim dhe me besim drejt rikonfirmimit të fitoreve në çdo komunë ku jemi në balotazh. Energjia dhe mbështetja që pamë sot janë garanci e qartë se qytetarët duan stabilitet, punë dhe rezultate. Faleminderit çdo aktivisti, çdo vëzhguesi dhe çdo qytetari që sot e bëri këtë ditë të madhe për demokracinë tonë. PDK është dhe do të mbetet forca e zhvillimit, e përgjegjësisë dhe e të ardhmes. Sepse Kosova meriton ma mirë!”, ka thënë Çitaku.