Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp sonte, u uroi të gjithë kryetarëve të komunave që fituan në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se procesi zgjedhor ishte i organizuar mirë dhe i qetë, megjithëse me disa vërejtje.
“Sipas të dhënave të përpunuara, LSDM në raundin e parë siguroi fitore në tre komuna – Kriva Pallankë, Bogdancë dhe Krivogashtan. Gjithashtu, nga afërsisht 70% e votave të përpunuara, jemi në epërsi në edhe nëntë komuna – Qendër, Probishtip, Çuçer Sandevë, Çeshinovë, Valandovë, Konçë, Krushevë, Lozovë dhe Rosoman, ku do të ketë raund të dytë” deklaroi Filipçe, njofton TS.
Ai theksoi se LSDM është në vend të dytë në disa komuna, përfshirë Negotinën, Makedonska Kamenicën, Rankovcën, Dojranin, Demir Kapinë dhe Zërnovcin, dhe se priten rezultate shtesë nga komuna të tjera.
“U bëj thirrje qytetarëve të dalin masivisht në raundin e dytë të votimeve, sepse është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të kenë legjitimitet nga sa më shumë votues”, tha Filipçe.
Ai shtoi se edhe pse rezultati nuk është ai që e kishin dëshiruar, sepse partia ende po konsolidohet, mesazhi i tyre është pranuar nga më shumë qytetarë, dhe se kanë pasur rritje të numrit të votave në disa komuna. Më tej tha se, duke marrë parasysh rrethanat, rezultati që LSDM ka arritur në zgjedhje nuk është i keq, duke përmendur se ka disa komuna ku ende nuk është e qartë se kush do të fitojë./TS