Në Tetovë vijon të ketë kufizime të ujit si pasojë e ndotjes dhe turbullirave nga reshjet. Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” nuk tregon se përse nuk gjen zgjidhje të përhershme për këtë problem, shkruan Portalb.mk.
“Do të ketë kufizim të ujit për arsye te sasisë së ulët të ujit kufizimi i ujit do të bëhet prej orës 14:00-16:30”, informoi NPK “Sharri”.
Në ndërkohë, më herët gjatë ditës ndërmarrja njoftoi se kufizim do të ketë edhe nga ora 09:00 – 11:30.
Sipas njoftimit më të fundit, uji nuk është i pijshëm.
Ditëve të fundit, ashtu si çdo vjeshtë kur ka reshje, Tetova është përballur përsëri me ndalesa dhe restrikcione të ujit, kjo për shkak të ndotjes dhe turbullimit në disa burime.
Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, u ndal furnizimi me ujë të pijshëm nga Leshnica.
Këto probleme kanë shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët.
“Cilat do qofshin arsyetimet, qytetarëve u erdh në maje të hundës, humbet durimi! Nuk duam të besojmë që këto pakënaqësi për defekte, turbullime të jenë arsyetim për privatizimin e shumë përfolur të ujësjellësit”, thonë nga organizata ekologjike “Eco Guerila”.
Ndërkaq, nga Ndërmarrja Publike për Ujësjellës “Sharri” edhe pse konfirmuan se do të përgjigjen në pyetjet tona, deri më tani nuk u përgjigjën se përse me vite nuk ka zgjidhje konkrete të përhershme që kur ka reshje mos të ketë ndotje në burime dhe bllokim nga gjethet, pse stacioni i filtrimit nuk mund të trajtojë ujin në filtra kur ka turbullira të mëdha nga shiu, pse nuk investohet në këtë drejtim, a ka zgjidhje konkrete për këtë problem, nëse po, cila është ajo dhe pse nuk është implemetuar deri tani? Nëse është në plan, kur?
Kujtojmë se ditë më parë, NPK-ja njoftoi se për shkak të rënieve të gjetheve në këtë stinë të vitit në linjën kryesorë të ujësjellësit në Leshnicës ka rënie të sasisë të ujit që e furnizon qytetin.
Defektet janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh ngelin pa pikë uji në çezmat e tyre.
Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa,restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.