Unë besoj se qëndrimi i Opozitës dhe të djathtës Shqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duhet të jetë ky: Kosova bashkë me Shqipërinë!

Nga Arian Galdini

Historia nuk i lejon kombeve të vegjël luksin e gabimeve strategjike. Një vendim i nxituar i bërë sot mund të përkthehet nesër në një ndarje të përjetshme.

Sot, Shqipëria përballet me një nga ato çaste kur politika nuk është thjesht menaxhim, por akt ontologjik, anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ne jemi padiskutim, pa mëdyshja, me gjithë fuqinë e mendimeve e energjive tona, pro BE-së, pro Perëndimit, pro pjesëmarrjes në rendin euroatlantik.

Por jemi komb, dhe kjo fjalë nuk mund të harrohet. Shqipëria nuk mund të hyjë në Evropë duke lënë jashtë Kosovën, sepse kështu nuk hyn Evropa në Shqipëri, por futet ndarja brenda kombit.

Integrimi evropian, triumf apo dogmë?

Në diskursin publik shqiptar, BE shpesh paraqitet si aksiomë e padiskutueshme. Mirëpo, siç paralajmëronte Jürgen Habermas, kur proceset supranacionale marrin legjitimitet të pakushtëzuar, ato rrezikojnë të shndërrohen në “krizë legjitimiteti”, duke shkëputur vendimmarrjen nga qytetarët.

Nëse Shqipëria integrohet e vetme, pa Kosovën, ky nuk është më triumf i demokracisë, por imponim i një dogme teknike mbi një të vërtetë kombëtare.

Kjo pyetje duhet bërë me guxim, çfarë jemi ne në Evropë, si komb i plotë apo si pjesë e cunguar?

Kosova, themeli i projektit tonë evropian

Në librin The Virtue of Nationalism (2018), Yoram Hazony thekson se shteti-komb është ende burimi më i fortë i besimit dhe lirisë politike.

Nëse Shqipëria futet në BE pa Kosovën, atëherë vetë shteti-komb shqiptar pëson një çarje ontologjike, gjysma bëhet pjesë e një rendi supranacional, gjysma tjetër ngelet në një zonë të përkohshme, të ekspozuar ndaj presioneve të Serbisë dhe gjeopolitikës së ftohtë.

Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj Kosovës, është dobësim i kapitalit moral të kombit shqiptar në Evropë.

Patrick Deneen, në Why Liberalism Failed (2018), paralajmëron se shoqëritë që harrojnë rrënjët shpërbëhen nga brenda.

Për shqiptarët, rrënja është bashkimi, jo ndarja. Pa Kosovën, rrënja çahet.

Familja kombëtare dhe prindërimi politik

Mary Eberstadt, në Primal Screams (2019), argumenton se krizat moderne të identitetit burojnë nga shpërbërja e familjes.

Kombi shqiptar është familje historike. Shqipëria dhe Kosova janë si dy dhoma të një shtëpie.

Nëse njëra hyn në një sistem politik e tjetra mbetet jashtë, atëherë kjo është shpërbërje e prindërimit politik të kombit.

Ne, si konservatorë shqiptarë, nuk pranojmë që integrimi të bëhet në kurriz të familjes. Opozita shqiptare duhet të mbrojë parimin se integrimi është i vlefshëm vetëm kur bashkon, jo kur ndan.

Ekonomia e punëve të mira, bashkimi si strategji zhvillimi

Dani Rodrik (Better Jobs Mean Better Development, 2023) argumenton se zhvillimi nuk matet vetëm me rritje të PBB-së, por me krijimin e punëve të mira dhe të dinjitetshme.

Nëse Shqipëria futet në BE e vetme, Kosova mbetet jashtë një tregu prej 450 milionësh. Do të kemi dy tregje të ndara, dy sisteme tatimore, dy standarde.

Rezultati, humbje e fuqisë bashkëpunuese dhe zbehje e potencialit të “ekonomisë kombëtare shqiptare”.

Një Komunuelth Shqiptar, një bashkim ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës përpara BE-së, është kusht i domosdoshëm.

Vetëm një bllok i tillë shqiptar e bën integrimin evropian instrument zhvillimi dhe jo mjet fragmentimi.

Dimensioni gjeostrategjik, Shqipëria si nyje, jo si satelit

Në Power and Progress (2023), Acemoglu dhe Johnson theksojnë se teknologjia e re ose i fuqizon shoqëritë ose i kthen në skllevër të sistemeve të mëdha.

E njëjta logjikë vlen edhe për politikën, Shqipëria ose hyn në BE si aktor me kauzë kombëtare, ose bëhet satelit burokratik.

Carl Schmitt kujtonte se politika është përcaktim i “mik-ut dhe armikut”.

Nëse Shqipëria braktis Kosovën, atëherë nuk guxon më të shpallë armikun e vërtetë, ndarjen e kombit.

Dhe pa këtë shpallje, politika jonë kthehet në farsë.

Robert Kagan dhe Walter Russell Mead kanë treguar në dekadën e fundit se vetëm kombet që hyjnë në aleanca me vetëdije të plotë strategjike mund të mbeten faktorë.

Shqipëria nuk duhet të hyjë në BE si shtet periferik, por si nyje e Ballkanit që mban bashkë kombin e vet dhe stabilitetin rajonal.

Identiteti si fuqi politike

Charles Taylor thekson se identiteti formohet në dialog me botën.

Nëse Shqipëria dhe Kosova hyjnë në dy struktura të ndryshme, atëherë dialogojnë me dy realitete të papajtueshme, njëra me Brukselin, tjetra me një botë të mbetur në pritje.

Pas disa dekadash, kjo nuk është më thjesht politikë, por ndarje e identitetit shqiptar në dy rrjedha të ndryshme civilizuese.

Një opozitë e vërtetë duhet të thotë, ne jemi për BE-në, por BE-ja na merr të bashkuar ose humbet tërësinë e shqiptarëve.

Doktrina e një qëndrimi të ri opozitar

Në prag të vendimeve madhore, opozita shqiptare nuk mund të mbetet spektatore.

Duhet të shpallë një doktrinë të qartë:
Po për BE-në, por me Kosovën.
Po për Perëndimin, por me unitet kombëtar.
Po për integrimin, por jo për ndarjen.

Ky është qëndrimi i një opozite që flet me zërin e konservatorizmit të arsyes dhe të dinjitetit.

Një komb, një integrim

Edmund Burke na mësonte se politika është kontratë e shenjtë midis të gjallëve, të shkuarve dhe të palindurve.

Nëse Shqipëria hyn e vetme në BE, kjo kontratë thyhet.

Ne u detyrohemi brezave të kaluar që luftuan për bashkim, dhe brezave të ardhshëm që presin një atdhe të plotë.

Prandaj unë besoj fort se qëndrimi i opozitës dhe i të djathtës shqiptare duhet të jetë i qartë dhe i pandryshueshëm: Kosova bashkë me Shqipërinë në BE!

Sepse vetëm kështu integrimi nuk është thjesht hyrje në një klub politik, por është akt i bashkimit kombëtar.

Dhe vetëm kështu shqiptarët hyjnë në Evropë jo si fragmente, por si një komb me dinjitet, me unitet dhe me vizion për shekujt që vijnë.

Arian Galdini

Autor i librit Neoshqiptarizmi