Një pjesë e Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë është shembur për t’i hapur rrugë ndërtimit të sallës së re të ballove, një projekt madhor menduar nga presidenti Donald Trump.
Kjo pritet të jetë ndër punimet më të mëdha që i është bërë ndërtesës që prej më shumë se një shekulli. Salla do të ketë një sipërfaqe prej mbi 8,000 metra katrorë dhe do të akomodojë deri në 1,000 të ftuar. Ajo do të shërbejë për darka zyrtare me liderë të huaj, evente festive dhe ceremoni të tjera.
“Jam i lumtur të njoftoj se kanë nisur punimet për ndërtimin e sallës së re, të madhe dhe të bukur të ballove, Për më shumë se 150 vjet, çdo President ka ëndërruar të ketë një Sallë Vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë për të akomoduar njerëz për festa të mëdha, vizita shtetërore etj” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
Sipas planit, godina e re do të zëvendësojë East Wing, pjesa lindore e Shtëpisë së Bardhë ku ndodhej tradicionalisht zyra e Zonjës së Parë. Trump deklaroi se kjo pjesë do të “modernizohet plotësisht” dhe do të jetë “më e bukur se kurrë”.
Ai tha se ndërtimi do të financohet nga fonde private: “patriotë bujarë, kompani të mëdha amerikane dhe… vetë unë”, shkroi ai në vetën e tretë, pa e specifikuar kontributin e tij personal.
Javën e kaluar, Trump organizoi një darkë falënderuese për miliarderë dhe korporata të mëdha që kanë kontribuar financiarisht në këtë projekt. Të pranishëm ishin përfaqësues të kompanive si Amazon, Apple, Meta, Google, Microsoft, Palantir dhe Lockheed Martin.
Që nga kthimi i tij në pushtet, Trump ka nisur të transformojë Shtëpinë e Bardhë sipas stilit të resortit të tij luksoz Mar-a-Lago në Florida. Zyra Ovale, për shembull, është dekoruar me elemente të arta dhe dy flamuj gjigantë amerikanë.
Shtëpia e Bardhë është rezidenca dhe vendi i punës së presidentëve amerikanë që prej vitit 1800. I pari që ka jetuar aty ishte John Adams, presidenti i dytë i SHBA-së.