Momente dramatike kanë ndodhur më 21 tetor rreth orës 19:00 në një shtëpi familjare në zonën Glina, në Kroaci, pas së cilës është arrestuar një burrë 58-vjeçar, i cili kishte 0.34 promilë alkool në gjak.
Pas hetimeve në vendngjarje dhe përfundimit të hetimit penal, ai është akuzuar për katër vepra penale – tentim vrasjeje të rëndë, rrezikim të jetës dhe pasurisë, dhunë në familje, si dhe kërcënim për zjarrvënie të shtëpisë dy ditë më parë.
Hetimet zbuluan se 58-vjeçari kishte djegur karburant në një nga dhomat e shtëpisë, ku në atë moment ndodheshin bashkëshortja dhe djali i tij.
Në zjarrin që shpërtheu, djali 25-vjeçar pësoi dëmtime të rënda trupore, sepse përveç që kishte derdhur benzinë nëpër dhoma, babai kishte derdhur edhe mbi trupin dhe rrobat e të birit.
Pastaj ai shkoi edhe më tej në çmendurinë e tij – zuri me zjarr një copë pëlhurë me çakmak dhe e hodhi mbi djalin e mbuluar me benzinë.
Zjarri u përhap menjëherë në trupin e 25-vjeçarit dhe në brendësinë e shtëpisë, shkruan Jutarnji.hr.
Të gjithë këtë tmerr e pa bashkëshortja e autorit dhe nëna e të riut në flakë, e cila reagoi me guxim – e tërhoqi djalin nga shtëpia dhe i hoqi rrobat që digjeshin.
I riu u dërgua menjëherë në spital për trajtim të plagëve.
Gjatë bisedave me viktimat, u zbulua gjithashtu se i dyshuari kishte ofenduar dhe keqtrajtuar bashkëshorten dhe djalin që nga viti 2022 deri më 18 tetor 2023, duke ushtruar dhunë familjare, dhe javën e kaluar i kishte kërcënuar bashkëshortes 51-vjeçare me vdekje.