Gostivar, 21 tetor — TetovaSot mëson jozyrtarisht se Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet ta delegojë Bashkim Hasanin si ushtrues detyre të kryetarit të Komunës së Gostivarit, pasi për shkak të censusit të popullsisë, zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor do të përsëriten.
Burime të afërta me Qeverinë bëjnë të ditur se delegimi i Hasanit do të jetë i përkohshëm, deri në organizimin e raundit të ri zgjedhor në këtë komunë. Vendimi zyrtar pritet të publikohet ditëve në vijim, pas përfundimit të procedurave administrative.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Gostivarin, ndërsa institucionet përgatiten për një proces të ri zgjedhor në përputhje me ndryshimet që solli censusi.
TetovaSot do të vazhdojë ta ndjekë situatën dhe do të informojë opinionin publik me detajet më të fundit sapo ato të jenë të konfirmuara.