Tetë ditë deri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Kanë mbetur vetëm tetë ditë deri në votimin final të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohet më 2 nëntor në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, afati për regjistrimin e personave të sëmurë dhe të paaftë për votim skadon sonte në mesnatë, ndërsa për personat nën arrest shtëpiak më 28 tetor. Këta, bashkë me të burgosurit dhe banorët e shtëpive të të moshuarve, do të votojnë më 1 nëntor, një ditë para zgjedhjeve.

Në këtë periudhë, partitë dhe kandidatët po zhvillojnë takime me qytetarët me intensitet më të ulët, ndërsa vazhdon regjistrimi i vëzhguesve për raundin e dytë.

Në Shkup, gara më e rëndësishme zhvillohet mes Orce Gjorgjievskit (VMRO-DPMNE) dhe Amar Mecinoviqit (E Majta).
Në kampin shqiptar, përballje të forta priten në Tetovë (Bilall Kasami – VLEN dhe Bajram Rexhepi – AKI), Kërçovë (Fatmir Dehari – AKI kundër kandidatit të VMRO-së) dhe Strugë (Mendi Qyra – i pavarur kundër Arsim Dalipit – AKI).

Ndërkohë, procesi i zgjedhjeve është përmbyllur në 43 komuna, ndërsa në disa të tjera, për shkak të mospërmbushjes së cenzusit, votimi do të përsëritet brenda 60 ditëve.