Takim Gashi – Solstrom

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, u takua me Ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë, z. Ola Solstrom, të cilin e uroi për emërimin në detyrën ambasador dhe i uroi suksese në detyrën e re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi shumë i suksesshëm dhe dinamik me Ambasadën Suedeze do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore, jo vetëm në nivel politik, diplomatik dhe institucional, por edhe financiarisht përmes programit të reformave për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut me afërsisht 10 milionë euro në vit, gjë që e bën Suedinë donatorin më të madh individual midis shteteve anëtare të Bashkimit.
Ambasadori Solstrom, duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe midis të dyja vendeve, theksoi se gjatë mandatit të tij do të përqendrohet në marrëdhëniet politike, përkatësisht në mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, bashkëpunimin në NATO, si dhe në promovimin e bashkëpunimit ekonomik. Ai iu referua edhe kontakteve midis njerëzve, dhe në këtë kuptim e vlerësoi bashkëpunimin dypalësh parlamentar si shumë dinamik dhe të frytshëm.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se diaspora e shumtë nga Republika e Maqedonisë së Veriut që jeton në Suedi kontribuon shumë në afrimin e të dyja vendeve dhe thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Kryetari Gashi rikujtoi se në të gjitha formacionet e mëparshme të Kuvendit është formuar Grupi Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin Suedez, i cili vazhdimisht tregon gatishmërinë dhe dëshirën për të intensifikuar bashkëpunimin ndërparlamentar, dhe përshëndeti formimin e një Grupi të tillë për Bashkëpunim edhe në Parlamentin Suedez, si vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh.