Stresi është arsyeja kryesore për vizitat te psikologu në Maqedoninë e Veriut

Shërbimet ambulatore dominohen nga çrregullimet neurotike, të lidhura me stresin dhe somatoforme, të cilat përbëjnë mbi 60% të të gjitha rasteve, të ndjekura nga çrregullimet e humorit (13.6%) dhe skizofrenia (6.3%), raporton Portalb.mk.

Hulumtimet e kryera pas pandemisë Covid-19 tregojnë se të rinjtë janë një grup veçanërisht i prekshëm – pothuajse çdo i treti adoleshent raportoi simptoma të depresionit ose ankthit, gjë që tregon pasojat psikologjike afatgjata të krizave shëndetësore dhe sociale.

Këtë e tregon raporti mbi çrregullimet mendore në Maqedoni i përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili u botua me rastin e 10 tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Qasja në shërbimet e shëndetit mendor mbetet e kufizuar dhe e pamjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale, ku disa institucione shëndetësore përballen me mungesë të stafit profesional dhe një shpërndarje të pabarabartë të burimeve, thuhet në deklaratën e ISHP-së.

Sipas raportit mbi çrregullimet mendore në RMV (2014–2023) të përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik, në dekadën e fundit, në vend janë regjistruar mesatarisht rreth 6 000 raste spitalore në vit që lidhen me çrregullime mendore dhe të sjelljes, sipas klasifikimit të OBSH-së.