Lajmet e këqija për David Alaban duket se nuk kanë fund.
I larguar nga loja kundër Getafes të dielën që shkoi, përfaqësuesi austriak po vuan nga një tërheqje muskulore në këmbën e djathtë.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi “Cope”.
Mbrojtësi veteran kështu do të mungojë në dy ndeshjet e rëndësishme të Real Madridit: të mërkurën kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve dhe të dielën në “El Clasico” ndaj Barcelonës.
Për ish-futbollistin e Bayern Munichut bëhet fjalë për lëndimin e radhës, i cili nga vera e vitit 2021 kur kishte përfunduar në kryeqytetin spanjoll, nuk kishte arritur kurrë që ta gjente vazhdimësinë shkaku i disa problemeve fizike.
Përkundër eksperiencës dhe lidershipit të njohur tashmë, futbollisti që i ka zhvilluar 111 ndeshje me Kombëtaren e Austrisë, niveli i Alabas ka rënë në mënyrë të vazhdueshme.
Qendërmbrojtësi, i cili mund të luajë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, por edhe përpara mbrojtësve, duket se është duke i kaluar muajt e fundit në fanellën e Realit.
Drejtuesit e klubit, të cilët qe një kohë janë duke e shqyrtuar freskimin e mbrojtjes, janë dorëzuar për Alaban, i cili mund t’i bëjë qysh tash valixhet gati.
Pas afro një dekade me plot suksese në Gjermani, ëndrra spanjolle për Alaban është transformuar në dëshpërim dhe rënie.
Rikthimi i tij i sërishëm në fushën e blertë nuk është caktuar ende dhe gjithçka lë të kuptohet se “Los Blancos” nuk duan të rrezikojnë ta kthejnë lojtarin para kohe dhe më pas të lëndohet përsëri.