Zgjedhjet lokale të së dielës befasuan të dyja taborët: VLEN nuk ka pritur një mbështetje të tillë, ndërsa AKI nuk ka menduar se mund të pësojë disfatë në komunat kryesore të shqiptarëve etnikë. Por, mesazhet e qytetarëve ishin të qarta për të dyja koalicionet dhe partitë që përbëjnë ata.
Shkruan: Xhelal Neziri
VMRO-DPMNE është njëkohësisht fituesi dhe humbësi më i madh. Fitues pasi fitoi 53 komuna, 11 më shumë se ç’kishte deri më tani, dhe humbës pasi doli me minus 130 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit të kaluar. Nga 430 mijë votat e 2024-ës, sot partia e kryeministrit Hristijan Mickoski doli me afër 300 mijë vota.
LSDM, ndërkaq, pësoi humbje historike duke marrë vetëm 125 mijë vota. Por, në krahasim me zgjedhjet e fundit, ka një rënie prej vetëm 20 mijë votash. BDI si “Front Evropian” vjet fitoi 137 mijë vota, kurse tash si AKI – 114 mijë, apo afër 23 mijë vota më pak. Duke fituar gjithsej 91 mijë VLEN-i ka një minus prej 16 mijë votash në krahasim me vitin e kaluar, kur mori 107 mijë vota.
Këto janë numra të marra për listat e kandidatëve për këshilltarë ku, ndryshe nga kandidatët për kryetarë komunash, votohet ekskluzivisht për partinë.
Çka do të thotë ky rezultat?
Për VMRO-DPMNE-në është mesazh se retorika e fortë për mbrojtjen e identitetit maqedonas nuk është e mjaftueshme pa një standard më të mirë jetësor. Pas zgjedhjeve të 2024-ës vendi ka shënuar një inflacion rekord në nivel rajonal, i cili nuk është ndjekur nga rritja e pagave. Çmimet e prodhimeve bazë u shtrenjtuan për afër 30%, ndërkohë rrogat u rritën për vetëm 10%. Qëndrimi në vend në procesin e integrimit në BE do të vazhdojë të ndikojë keq në ekonominë e vendit dhe në xhepin e qytetarit. Ky rezultat kërkon zhbllokim të këtij procesi, që nënkupton ndryshime kushtetuese dhe përfshirje të bullgarëve etnikë në preambulë.
Për LSDM-në është porosi se duhet të pësojë reforma të thella nëse nuk dëshiron të përfundojë në librat e historisë. Partia më e vjetër maqedonase, e cila në vitet e fundit ishte promotore e integrimeve euroatlantike, sot është shndërruar në mjet politik të qendrave të biznesit. Janë këto qendra që e shpëtuan nga falimentimi në 2014-ën, kur selia i ishte vënë në hipotekë në disa banka, e që sot e shtrydhin ndikimin e fundit që mund të materializohet.
Porosia për AKI-në ishte e qartë: mjaft me eksperimentet politike. Koalicionet nuk janë bashkime numerike, apo aritmetikë e pastër politike, por bashkime për arritje të qëllimeve të përbashkëta ideologjike. Pra, ideologjike e jo klanore apo partiake. Është porosi se votat asnjë parti apo funksionar nuk i ka në xhep dhe se duhet t’i kultivojë në vazhdimësi, gjithmonë duke zbatuar parimin e rreptë të meritokracisë. Për BDI-në është alarm i madh për reformim, për pensionim të funksionarëve të përjetshëm, të cilët kanë lëshuar metastaza në të gjitha institucionet. Për dy krahët e ASH-së rezultatet a kanë një kuptim: personalizimi i politikës nëpërmjet betejave të ego-ve nuk kalon në politikë.
Për VLEN-in porosia ishte konsolidim i menjëhershëm me qëllim të përmirësimit të performancës në pushtetin qendror. Edhe pse para disa muajsh nga ky koalicion u largua Taravari, VLEN kishte një rënie prej vetëm 16 mijë votash. Por, ky rezultat është një matje e mirë për atë se kush sa peshon brenda këtij grupimi politik. Nëse më herët secili kishte anketat ku lartësonin veten, tash çdonjëri e di ku e ka vendin. Është një bazë e mirë për t’u transformuar në një parti politike, me organe të konsoliduara mirë dhe me një hierarki të qartë. Tash për tash ka një organizim kaotik, i cili jo vetëm që është i paqëndrueshëm, por edhe joefikas. Me një fjalë, populli i dha VLEN-it edhe një mundësi për të kaluar provimin. Me vetëm një vit pjesëmarrje në qeveri është rëndë të priten rezultate të kënaqshme.
Sa i përket votimit për kryetar komune, është një temë tjetër që kërkon një tjetër analizë. Qytetarët kanë shumë kërkesa dhe nevoja, por komunat kanë shumë pak kompetenca për shkak të shkallës më të ulët të decentralizimit në Evropë. Reformat në pushtetin lokal, që nga rritja e decentralizimit e deri t kufijtë e ri të komunave, duhet të jenë prioritet nëse dëshirojmë komuna funksionale.