Shurupi i kollës i merr jetën 17 fëmijëve, arrestohet pronari i kompanisë

Policia indiane ka arrestuar pronarin e kompanisë Sresan Pharma, e cila qëndron pas prodhimit të një shurupi kolle, i cili i ka marrë jetën 17 fëmijëve.

Lajmi u konfirmua nga një oficer i lartë i policisë për agjencinë Reuters.

S.Ranganathan, pronari i kompanisë me seli në shtetin jugor Tamil Nadu, u arrestua të mërkurën në qytetin Chennai dhe pritet të dalë para gjykatës.

Të gjithë fëmijët e prekur ishin nën moshën pesë vjeç dhe ndërruan jetë muajin e kaluar pasi kishin konsumuar shurupin ‘Coldrif’, i cili përmbante nivel të lartë të dietilen glikolit, një substancë toksike që përdoret në industri si tretës, antifriz dhe në produkte të tjera jo farmaceutike. Testet laboratorike treguan se përqendrimi i kësaj substance ishte pothuajse 500 herë mbi kufirin e lejuar.

Pas tragjedisë, shurupi ‘Coldrif’ është ndaluar në disa pjesë të Indisë. Ligji indian kërkon që çdo kompani farmaceutike të testojë jo vetëm lëndët e para, por edhe çdo seri të produktit përfundimtar. Megjithatë, ngjarja ka zbuluar dështime serioze në zbatimin e këtyre rregulloreve.

Pas rasteve të ngjashme në vitin 2023, ku shurupet indiane u lidhën me vdekjen e më shumë se 10 fëmijëve në Gambia, Uzbekistan dhe Kamerun, qeveria indiane vendosi kontrolle shtesë për eksportet e shurupit të kollës.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka reaguar, duke deklaruar se ky rast i fundit nxjerr në pah një boshllëk të thellë në mbikëqyrjen e barnave të shitura brenda dhe jashtë Indisë. Ajo gjithashtu paralajmëroi se disa nga eksportet mund të jenë realizuar në mënyrë jozyrtare dhe të pakontrolluar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo