Numri i njerëzve që dihet se janë vrarë gjatë një operacioni vdekjeprurës policor në qytetin Rio de Janeiro të Brazilit të martën ka shkuar në 132, thonë zyrtarët brazilianë.
Ky numër është më shumë se dyfishi i shifrës së raportuar të martën pas operacionit të policisë në lagjet e varfra, Alemao dhe Penha, në pjesën veriore të Rios, raporton televizioni BBC.
Zyra e mbrojtësit publik, e cila u ofron ndihmë juridike të varfërve, e bëri publike shifrën e re të të vrarëve pasi banorët renditën dhjetëra trupa në një shesh të mërkurën herët.
Kjo ishte bastisja policore më vdekjeprurëse në qytetin e njohur, ku autoritetet me dekada janë përpjekur që t’i frenojnë bandat që kanë nën kontroll shumë prej lagjeve të varfra.
Kur u pyet për numrin e dhënë nga zyra e mbrojtësit publik, guvernatori shtetëror i Rios, Claudio Castro, tha se puna e forenzikës ishte ende duke u zhvilluar dhe se shifra zyrtare e të vdekurve që i është dhënë ishte 58, edhe pse ishte “e sigurt se do të ndryshojë”.
Sipas ministrit të Drejtësisë, presidenti Luiz Inacio Lula da Silva është i çuditur me numrin e të vdekurve dhe gjithashtu e shprehu habinë e tij pse qeveria federale nuk ishte njoftuar paraprakisht.
Edhe para se numri i të vdekurve të rritej për më shumë se dyfish, Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara kishte thënë se ishte “e tmerruar” nga operacioni policor.
Të mërkurën herët, banorët i morën trupat e të vrarëve dhe i vendosën në Penha, ku i shtrinë pranë njëri-tjetrit në një rresht të gjatë për ta shpërfaqur natyrën vdekjeprurëse të operacionit policor.
Shumë prej trupave thuhet se u tërhoqën nga një shpat kodre, ku policia tha se kishin ndodhur shumica e përleshjeve vdekjeprurëse.