Shefi i të drejtave të njeriut në OKB: Sulmet e SHBA ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësor, shkelje e ligjit ndërkombëtar
Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk tha sot se sulmet e fundit ajrore të SHBA-së ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësor, të cilat thuhet se lidhen me trafikimin e drogës, shkelin ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu.
“Mbi 60 persona thuhet se janë vrarë në një seri sulmesh të vazhdueshme të kryera nga forcat e armatosura të SHBA-së kundër anijeve në Karaibe dhe Paqësor që nga fillimi i shtatorit, në rrethana që nuk gjejnë arsyetim në ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Turk.
Ai i përshkroi sulmet dhe kostot e tyre në rritje njerëzore si të papranueshme, duke i kërkuar Washingtonit të ndalojë sulme të tilla dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vrasjen jashtëgjyqësore të njerëzve në bordin e këtyre anijeve, cilado qoftë sjellja kriminale e akuzuar kundër tyre.
SHBA-ja ka argumentuar se operacionet janë pjesë e përpjekjeve kundër drogës dhe terrorizmit të rregulluara nga ligji ndërkombëtar humanitar. Por, Turk thekson se trajtimi i trafikimit ndërkufitar të drogës është çështje e zbatimit të ligjit, e rregulluar nga kufizimet e kujdesshme të forcës vdekjeprurëse të përcaktuara në ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
“Bazuar në informacionin shumë të pakët të dhënë publikisht nga autoritetet amerikane, asnjë nga individët në anijet e synuara nuk dukej se përbënte kërcënim të menjëhershëm për jetën e të tjerëve ose nuk arsyetonte ndryshe përdorimin e forcës së armatosur vdekjeprurëse kundër tyre sipas ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai.
Turk bëri thirrje për hetime të shpejta, të pavarura dhe transparente për sulmet dhe i kërkoi SHBA-së të luftojë trafikimin e paligjshëm përmes përgjimeve, arrestimeve dhe ndjekjeve penale të ligjshme që mbështesin standardet e procesit të rregullt ligjor dhe gjykimit të drejtë.
 
			 
				